Kronikë
VLEN: Lirimi i Grubit dhe Bajramit me garanci milionëshe, një goditje për drejtësinë dhe shtetin ligjor
Reklamë e Sponsorizuar
Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër pas lirimit nga arresti të Artan Grubit dhe ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, duke e cilësuar këtë vendim si një skandal të paprecedent dhe një tallje të hapur me institucionet e vendit. VLEN kërkon sqarime urgjente nga organet e drejtësisë dhe prokuroria lidhur me rrethanat se si dy persona që kanë qenë në arrati për më shumë se një vit, kanë arritur të lirohen në këtë formë.
Në një reagim publik, VLEN bën thirrje që faktori ndërkombëtar dhe përfaqësitë diplomatike ta monitorojnë nga afër këtë proces, me qëllim garantimin e transparencës dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit. Partia shpreh shqetësimin e thellë për faktin se ish-drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami, ka siguruar lirinë përmes një garancie prej 1.1 milionë eurosh, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e sistemit gjyqësor.
"Opinioni publik është tronditur nga fakti se një person në të tridhjetat, karriera e të cilit ka nisur në Lotarinë Shtetërore, arrin të blejë lirinë me një shumë marramendëse, ndërkohë që shefi i tij gjithashtu është liruar nga arresti shtëpiak. Këto zhvillime na detyrojnë të pyesim: A është ky një shlyerje borxhesh ndaj Sasho Mijallkovit për shërbimet e kaluara? A po manipulohet drejtësia përmes gjyqtarëve të ndikueshëm, të cilët kanë ndihmuar individë si Artan Grubi të përfundojnë në listën e zezë amerikane?", thuhet në reagimin e VLEN-it.
Koalicioni ngre dyshime të forta nëse drejtësia po sfidohet nga nëntoka dhe recidivët e shërbimeve sekrete, duke kërkuar përgjigje nëse qytetarët po paguajnë koston e lojërave të pista të pushtetit të kaluar. VLEN zotohet se si pjesë e qeverisë, do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjore për të zbardhur këtë rast dhe për të ndaluar degradimin e mëtejshëm të institucioneve.
"Nuk do të lejojmë që ky skandal të kalojë në heshtje. Të gjithë ata që kanë kontribuar në këto procese të dyshimta do të japin llogari përpara ligjit. Ne kërkojmë vëmendje të shtuar ndërkombëtare për këtë shkatërrim të besimit të qytetarëve në shtetin e së drejtës, veçanërisht në një vend që është anëtar i NATO-s", theksohet në njoftimin e VLEN-it.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: