Sport
Zhernovski: 'Alta Banka' është pjesë e paktit të fshehtë Mickoski-Vuçiq, qytetarët po paguajnë çmimin
Reklamë e Sponsorizuar
Andrej Zhernovski, Sekretar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, ka ngritur alarmin mbi pasojat e dëmshme që, sipas tij, po i shkakton vendit bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet kryeministrit Hristijan Mickoski dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një intervistë për televizionin Alsat, Zhernovski rikujtoi se LSDM-ja kishte dhënë alarmin për kapitalin e dyshimtë të 'Alta Bankës' dhe rreziqet që mbart hyrja e saj në tregun maqedonas qysh një vit më parë. Megjithatë, ai denoncoi faktin se qeveria aktuale ka zgjedhur t'i injorojë plotësisht këto shqetësime.
Sipas politikanit opozitar, nuk është aspak rastësi që kjo bankë është përballur me refuzim në tregun evropian. Ai theksoi se Banka Qendrore Evropiane ia ka ndaluar hyrjen institucionit në fjalë, për shkak të dyshimeve të forta mbi origjinën e kapitalit, aktiviteteve të mundshme të pastrimit të parave dhe rreziqeve serioze të sigurisë që ky kapital paraqet për rajonin.
"Fatkeqësisht, ne jemi vetëm në fillim të pasojave nga kjo lidhje e ngushtë ndërmjet Mickoskit dhe Vuçiqit. Gjerat më të këqija pritet të vijnë. Para një viti paralajmëruam se 'Alta Banka' sjell kapital të errët, por autoritetet nuk dëgjuan. Kjo bankë u fut me forcë në tregun tonë, sepse kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje të mirëfilltë biznesore ndërmjet Mickoskit dhe Vuçiqit", deklaroi Zhernovski.
Në përfundim, Zhernovski nënvizoi se hyrja e këtij subjekti financiar në Maqedoninë e Veriut është realizuar në kundërshtim me çdo paralajmërim, duke konfirmuar dyshimet se interesat personale dhe biznesore të dy liderëve kanë mbizotëruar mbi interesin publik dhe sigurinë financiare të shtetit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: