Kronikë
Tragjedia në Itali, dolën në pah detajet e reja për 39-vjeçaren shqiptare që u vra nga i biri
Reklamë e Sponsorizuar
Komuniteti në qytetin e Chiarit në Itali vazhdon të mbetet i tronditur nga ngjarja e rëndë ku 39-vjeçarja shqiptare, Meleqe Lusha, dyshohet se u privua nga jeta me armë të ftohtë (thikë) nga djali i saj 21-vjeçar, Eduart Xhani, brenda shtëpisë së tyre.
Pas kësaj ngjarjeje tronditëse ka reaguar kryebashkiaku i Chiarit, Gabriele Zotti, i cili theksoi se ky lajm ka tronditur mbarë komunitetin, duke mos u kufizuar vetëm te njerëzit që kishin njohje me këtë familje.
Ai e cilësoi viktimën si një zonjë puntore, e cila ishte kujdesur për rritjen e djalit të saj e vetme pas ndarjes nga bashkëshorti. Meleqe Lusha ushtronte profesionin e saj në Spitalin Civil të Breshias, ndërkohë që pranë saj në çdo kohë kishin qenë edhe katër vëllezërit e saj, të cilët punojnë në fushën e ndërtimit.
Sipas deklaratave të kryebashkiakut, 21-vjeçari ishte rritur dhe kishte përfunduar shkollimin pikërisht në Chiari, pa shfaqur deri më tani probleme apo sjellje shqetësuese për rrethin ku jetonte.
“Është një djalë që deri më sot nuk ishte raportuar për probleme. Kjo e bën edhe më të vështirë të kuptohet se çfarë ka ndodhur dhe çfarë e ka çuar drejt dhunës”, u shpreh Zotti.
Menjëherë pas kryerjes së krimit, i riu u largua nga banesa që ndodhet në rrugën Tagliata, por më pas zgjodhi të vetëdorëzohej para forcave të Karabinierëve në Kremona.
Kryebashkiaku kërkoi nga organet kompetente që të hedhin dritë mbi motivet dhe rrethanat e kësaj tragjedie, ndërsa vuri në dukje se e gjithë shoqëria duhet të ndalet dhe të reflektojë pas një ngjarjeje të tillë tronditëse.
Ndërkohë, procesi hetimor vijon për të zbuluar motivet e sakta të kësaj vrasjeje dhe për të zbardhur dinamikën e plotë të asaj që ndodhi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: