Politikë
Pas gati tri dekadash pritjeje, identifikohen mbetjet mortore të Dr. Adem Ademit dhe dy intelektualëve të tjerë
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se, përmes raporteve të reja të ADN-së nga laboratori në Hagë, është arritur identifikimi i kolosit të shëndetësisë dhe pjesëtarit të Grupit të Intelektualëve, Adem (Fazli) Ademi, së bashku me Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin.
Për familjen e Dr. Adem Ademit, ky zhvillim përfaqëson një çast historik dhe emocional pas një agonie prej 27 vitesh plot ankth, shpresë dhe kërkim të pandërprerë të së vërtetës.
“Pas 27 vitesh pritjeje, sot morëm lajmin që familja jonë e priste me aq shumë shpresë. Sot, nga institucionet tona, u informuam se nga laboratori në Hagë kanë ardhur rezultatet e analizave të ADN-së, përmes të cilave është bërë identifikimi i babait tonë, familjarit tonë të dashur, Dr. Adem Ademi”, ka deklaruar Erblin Ademi, duke shtuar se ky moment i jep fund një periudhe të gjatë pasigurie.
Në emër të familjes, ai ka drejtuar një falënderim të sinqertë për institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë zyrtarët, hetuesit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar ndër vite për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Dr. Adem Ademi do të përcillet dhe do të prehet në paqe me nderimin dhe dinjitetin që i takon, për jetën që jetoi, përkushtimin e tij si mjek dhe kirurg, për jetët që shpëtoi dhe për kontributin që dha për njerëzit dhe shoqërinë”, u shpreh tutje ai.
Ndërkohë, familja ka bërë të ditur se opinioni i gjerë do të njoftohet në ditët në vijim për detajet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe hapjen e dyerve për mort.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Erblin Ademi shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë qytetarëve që kanë treguar solidaritet dhe i kanë qëndruar pranë familjes në këto momente kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: