Politikë
Siljanovska-Davkova nga Brukseli: Integrimi evropian kërkon partneritet të denjë dhe respekt për vlerat
Reklamë e Sponsorizuar
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka marrë pjesë në Samitin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Euronews në Bruksel. Gjatë këtij forumi, ajo ka kërkuar që procesi i dialogut me bllokun evropian të jetë thelbësor dhe të zhvillohet mbi baza të barabarta.
Duke evokuar historikun e vendit, Siljanovska-Davkova rikujtoi konkluzionet e Komisionit Badinter të vitit 1992, i cili kishte vlerësuar se Maqedonia, ashtu si Sllovenia, i përmbushte kriteret për njohje ndërkombëtare, veçanërisht në fushat e rendit kushtetues dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve. Sipas saj, fakti që pas 30 vitesh shtete të caktuara mbeten në pritje të perspektivës evropiane, ndërsa të tjera janë anëtarësuar, reflekton mungesën e vullnetit politik të fqinjëve.
Presidentja preku edhe çështjen e ndryshimeve kushtetuese, duke rikujtuar se me Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018, vendi ndryshoi emrin e tij kushtetues me premtimin se kjo do të ishte pengesa e fundit drejt rrugës evropiane. Ajo theksoi se kërkesat e vazhdueshme për ndryshimin e Kushtetutës – e cila është modifikuar 36 herë deri më tani, shpesh nën trysninë e faktorit të jashtëm – nuk mund të garantojnë integrimin, pasi vendimmarrja i takon Parlamentit, legjitimiteti i të cilit buron nga qytetarët.
Në fjalën e saj, Siljanovska-Davkova nënvizoi se Bashkimi Evropian nuk duhet të shihet vetëm si një mekanizëm burokratik, por si një bashkësi vlerash. Duke iu referuar akteve themeluese të BE-së, ajo potencoi se respektimi i identitetit kombëtar dhe kulturor, si dhe diversiteti, janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet uniteti evropian.
Duke iu referuar ndërhyrjes së kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç, presidentja Siljanovska-Davkova përsëriti kërkesën që Maqedonia e Veriut të gëzojë trajtim të barabartë me vendet e tjera kandidate, duke kërkuar që standardet dhe rregullat e anëtarësimit të zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjithë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: