Sport
Kombëtarja e vajzave mëson kundërshtarët në Nations League, Grima tregon synimin e kuqezinjve
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesja shqiptare e femrave ka zbuluar kundërshtarët e saj për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve për UEFA Women’s Nations League, pas shortit të hedhur në qytetin zviceran të Nyonit.
Vajzat kuqezi janë pozicionuar në Grupin B1, ku do të masin forcat me Belgjikën, Serbinë dhe Rumaninë.
Pas përfundimit të shortit, kreu i stafit teknik të Kombëtares, Armir Grima, ka ndarë opinionet e tij rreth kësaj sfide të re për faqen zyrtare të FSHF-së.
“Ne e prisnim që të kishim ndeshje të forta dhe, ashtu siç e parashikonim, edhe shorti na rezervoi kundërshtarë të tillë. E dimë forcën dhe nivelin e ekipeve në Ligën B.
Belgjikën e njohim, pasi jemi përballur me të para disa kohësh. E dimë forcën e Serbisë, ashtu si edhe nivelin e Rumanisë. Ishim të përgatitur që do të kishim kundërshtarë të fortë dhe do të përgatitemi për të përmbushur objektivat tona dhe për të bërë sa më mirë në këtë grup.
Na pret një punë e vështirë. Po mendojmë të forcojmë sa më shumë skuadrën dhe të afrojmë në grup vajza sa më cilësore, pasi këto ndeshje kërkojnë një ekip të fortë për t’u përballur me kundërshtarët që kemi përpara.
Objektivi ynë është të qëndrojmë në Ligën B dhe, gjatë ndeshjeve, të shohim se si do të shkojnë gjërat. Pse jo, të pretendojmë edhe diçka më shumë”, – u shpreh trajneri Grima.
Kalendari i ndeshjeve parashikon që dy sfidat e para të zhvillohen në harkun kohor nga 23 shkurti deri më 6 mars. Më pas, takimet e radhës do të luhen nga 13 deri më 24 prill, ndërsa fushata e grupit do të mbyllet me dy përballjet e fundit të planifikuara për periudhën 7–15 qershor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: