Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Paketa e re fiskale sjell taksa për makinat elektrike dhe automjetet e huaja në Shqipëri

Redaksia Lajmetereja • 03-11-2026 06:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Paketa e re fiskale sjell taksa për makinat elektrike dhe automjetet e huaja në Shqipëri
Skema e re e taksimit të automjeteve pritet të përfshijë mbi 10 mijë mjete elektrike që qarkullojnë brenda vendit, ndërkohë që për herë të parë do të vendoset një tarifë e posaçme edhe për automjetet me targa të huaja që futen në territorin shqiptar. Këto ndryshime janë pjesë integrale e paketës së re fiskale, e cila parashikon heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburantit dhe transferimin e saj tek detyrimet vjetore të mjeteve. Sipas ndryshimeve të propozuara në projektligjin “Për taksat kombëtare”, për autoveturat elektrike, autobusët dhe kategoritë e ngjashme do të aplikohet një taksë vjetore fikse prej 15 mijë lekësh, kurse për motomjetet elektrike detyrimi do të jetë 1 mijë lekë në vit. Deri më tani, automjetet elektrike kanë qenë të përjashtuara nga ky detyrim vjetor, por burime zyrtare nga Ministria e Financave konfirmojnë se masa do të preqasë mbi 10 mijë mjete të kësaj kategorie. Një tjetër risi e rëndësishme e kësaj nisme është vendosja e një takse qarkullimi për mjetet e huaja që hynë në Shqipëri, ide kjo e paralajmëruar më parë nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të masave të reja fiskale. Tarifa e re për automjetet e huaja do të llogaritet në bazë të kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre brenda vendit. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë 9-mujorit të parë të vitit në vend kanë hyrë rreth 2,6 milionë mjete të huaja. “Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi kryeministri Edi Rama. Reforma fiskale do të sjellë ndryshime të ndjeshme edhe për kategoritë e tjera, përfshirë automjetet e përdorura dhe ato luksoze. Për mjetet e përdorura, taksat vjetore pritet të dyfishohen krahasuar me situatën aktuale. Për shembull, një automjet me naftë i vitit të prodhimit 2013 dhe me cilindratë 2,000 centimetra kub do të paguajë 18 mijë lekë në vit, nga 9 mijë lekë që paguan aktualisht. Ndryshimet prekin gjithashtu segmentin e automjeteve luksoze, ku taksa vjetore propozohet të ngrihet nga 21 mijë në 40 mijë lekë, duke shënuar një rritje prej 19 mijë lekësh ose 90% më shumë se më parë. Kjo masë llogaritet se do t'i sigurojë buxhetit të shtetit rreth 430 milionë lekë të ardhura shtesë. Nëpërmjet kësaj pakete, zhvendosja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet te taksat vjetore të mjeteve pritet t'i rrisë të ardhurat nga taksat e automjeteve në 33,8 miliardë lekë, nga 26,6 miliardë lekë që janë aktualisht. Megjithatë, sipas relacionit të projektligjit, efekti neto i kësaj lëvizjeje përllogaritet me një ulje të të ardhurave prej 5 miliardë lekësh nga Ministria e Financave, ndërsa çmimi i karburanteve parashikohet të ulet me 32,3 lekë për litër.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar