Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Këshilli i Sigurisë në Shqipëri mblidhet pas rastit Hyseni: Të respektohen hetimet

Redaksia Lajmetereja • 28-09-2026 13:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Këshilli i Sigurisë në Shqipëri mblidhet pas rastit Hyseni: Të respektohen hetimet
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shqipërisë u bëri thirrje të hënën institucioneve që të respektojnë hetimet e pavarura të drejtësisë, pas vendimit për arrest shtëpiak ndaj ish-drejtoreshës së shërbimit inteligjent, Vlora Hyseni, nën dyshimet për zbulim të sekreteve shtetërore. “Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, tha Presidenca e Shqipërisë pas mbledhjes së Këshillit. Mbledhja, e cila zgjati rreth 90 minuta, të hënën, u thirr nga presidenti Bajram Begaj për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe ndikimin e tyre në institucionet e sigurisë. Në njoftimin e Presidencës nuk përmendet me emër Hyseni, por mbledhja u zhvillua ndërsa ish-shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Këshilli tha se institucionet e sigurisë nuk duhet të konkurrojnë me njëra-tjetrën dhe se mosbesimi institucional duhet të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional. “Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete”, tha Presidenca, duke u bërë thirrje institucioneve të punojnë së bashku për të forcuar shtetin, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve. Në mbledhje morën pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ministrat e Mbrojtjes, Punëve të Brendshme dhe Punëve të Jashtme, drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtues të tjerë të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes. SHISH-i u përfaqësua nga Elvis Lila, drejtor i Departamentit Operativ, të cilit i janë deleguar përkohësisht kompetencat administrative të drejtorit të institucionit. Në mbledhje u ftuan edhe përfaqësues të SPAK-ut dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, tha Presidenca. Rama, i cili një ditë më parë kishte njoftuar për mbledhjen, tha se Këshilli ishte vendi i duhur për të diskutuar përgjegjësitë institucionale dhe garancitë që duhet të mbrojnë institucionet e sigurisë kur drejtuesit ose punonjësit e tyre bëhen subjekt i një hetimi penal. “Kur puna e hetimit ngjitet deri tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit”, tha Rama. Ai e ka cilësuar gjithashtu si “ekstreme” masën e arrestit shtëpiak ndaj Hysenit. Më 24 shtator, Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e arrestit shtëpiak ndaj Hysenit, e cila dyshohet për zbulim të të dhënave sekrete dhe përkrahje të autorit të krimit në kuadër të hetimeve për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Më 22 shtator, Rama njoftoi shkarkimin e Hysenit. Prokurorët dyshojnë se Hyseni i ka dhënë informacione Ergys Agasit, një prej personave të akuzuar në dosjen “AKSHI”, që lidhet me dyshime për manipulim të tenderëve shtetërorë. Hyseni drejtoi SHISH-in nga viti 2023. Më herët, ajo kishte shërbyer si zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nga ku u shkarkua në vitin 2021 nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Shqipërisë që shqyrton çështje të sigurisë, mbrojtjes kombëtare dhe koordinimit ndërinstitucional.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar