Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Mickoski nga Gjermania: Fokus te rritja e investimeve dhe zgjerimi i partneritetit ekonomik

Redaksia Lajmetereja • 02-11-2026 21:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Mickoski nga Gjermania: Fokus te rritja e investimeve dhe zgjerimi i partneritetit ekonomik
Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur përmes një videomesazhi se gjatë ditës së sotme, në kuadër të vizitës zyrtare në Gjermani, kabineti i tij qeveritar ka realizuar një sërë takimesh dhe kontaktesh të rëndësishme biznesore. Delegacioni qeveritar ka zhvilluar bisedime me drejtuesit e gjigantit “Dojçe Telekom”, ku në fokus kanë qenë mundësitë e zgjerimit të investimeve në tregun vendas, jo vetëm në fushën e telekomunikacionit, por edhe në sektorë të tjerë kyç si shëndetësia dhe teknologjitë e mençura. Po ashtu, janë mbajtur takime edhe me përfaqësues të Odës ekonomike gjermane. Kreu i ekzekutivit vlerësoi se partneriteti ekonomik mes dy vendeve po njeh një intensifikim të vazhdueshëm, ndërsa synimi kryesor mbetet tërheqja e kapitalit të huaj dhe nxitja e Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Sot në Bon patëm agjendë vërtet të suksesshme dhe, do të thosha, mjaft dinamike. Ditën e nisëm me takime në kompaninë ‘Dojçe Telekom’, e cila disa dekada është e pranishme edhe te ne, në tregun tonë. Ajo për të cilën biseduam sot me drejtorin kryesor të ‘Dojçe Telekom’ janë investimet e tyre të mundshme shtesë në Maqedoni, në tregun e telekomunikacionit, por nuk u kufizuam vetëm këtu. Biseduam edhe për investime të mundshme të ‘Dojçe Telekom’ në fusha të tjera, si shëndetësia, teknologjia inteligjente dhe industri tjera që do të sjellin vlerë të madhe të shtuar për ekonominë e Maqedonisë dhe, në këtë mënyrë, do ta rrisin praninë e ‘Dojçe Telekom’-it në Maqedoni, por edhe në rajon”, deklaroi Mickoski. Duke folur për takimet në Odën ekonomike gjermane, ai theksoi praninë e kompanive që tashmë operojnë në vend, por edhe të atyre që synojnë tregun tonë. “Të pranishme ishin shumë kompani që kanë investime në Maqedoni, por edhe kompani të cilat kanë ambicie të investojnë në Maqedoni. Biseduam për përvojat e tyre të deritanishme, për mënyrat se si t’i bëjmë investimet e tyre më të suksesshme, por njëkohësisht folëm edhe për rritjen e investimeve dhe kapaciteteve të tyre, gjë që do të rriste edhe prodhimin e brendshëm bruto të ekonomisë së Maqedonisë”, u shpreh kryeministri. Mickoski përmbylli duke vlerësuar se dita e kaluar në Bon do të përkthehet në përfitime konkrete dhe ngritje të standardit jetësor për qytetarët e vendit. “Përshëndetje të përzemërta nga Dyseldorfi dhe nesër vazhdojmë vizitën tonë në Gjermani”, ka shkruar ai. Vlen të theksohet se në përbërjen e delegacionit qeveritar që shoqëron kryeministrin janë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, si dhe drejtori i ZZHTI-së, Goce Dimovski.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar