Politikë
Prapaskenat e takimit Veliaj-Gogu në burg: Ekspertët analizojnë debatin e bujshëm dhe vizitat e zyrtarëve
Reklamë e Sponsorizuar
Diskutimet rreth takimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, brenda ambienteve të paraburgimit kanë qenë në qendër të vëmendjes në emisionin “Real Story” në ABC News, ku u shqyrtuan detajet e kësaj vizite që ka ngjallur shumë polemika.
Gjatë diskutimit, eksperti Ervin Karamuço u ndal te paqartësitë dhe rrethanat e këtij takimi, duke theksuar se mungon një version zyrtar dhe përfundimtar mbi temat e trajtuara mes dy zyrtarëve të lartë.
“Që nga fakti se kush e denoncoi është sekret dhe deri te fakti që është bërë ky debat, sepse është fjala e Erion Veliajt kundër ministrit të Drejtësisë. Është bërë në zyrën e drejtorit të burgut, nuk di ta them ka ndodhur apo jo. Njëri thotë e ka thënë, tjetri thotë nuk e ka thënë”, u shpreh Karamuço.
Në të njëjtën linjë, eksperti i sigurisë Faik Basha vuri në dukje se përmbajtja e saktë e bisedës mbetet e panjohur, ndërkohë që kujtoi se vizita të tilla nga figura publike apo zyrtarë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nuk përbëjnë ndonjë risi.
Basha shtoi gjithashtu se bisedat e zhvilluara në këto hapësira nuk i nënshtrohen regjistrimit audio apo video, me përjashtim të rasteve të përcaktuara ligjërisht për takimet me organet e akuzës.
“Askush nuk e di të vërtetën se çfarë është folur. Prej vitesh janë bërë shumë takime me zyrtarë që janë në ambiente të paraburgimit. Nuk është takimi i parë ky që është bërë. Nuk është e çuditshme që një ministër dhe një deputet të bëjnë një vizitë. Mendoj që me këtë donte të thoshte diçka”, deklaroi Basha.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: