Ekonomi
Auditorët hapen në mbarë vendin, por një grup studentësh ndërpret mësimin për të thirrur në protestë
Reklamë e Sponsorizuar
Procesi akademik është rikthyer në normalitet këtë të hënë në pjesën dërrmuese të universiteteve publike në vend. Mësimi në auditorë ka vijuar rregullisht në Universitetin e Mjekësisë, Fakultetin e Drejtësisë, atë të Histori-Filologjisë, Ekonomik, si dhe në Universitetin Politeknik.
Ky rikthim në sallat e leksioneve i ka dhënë fund bojkotit dyjavor. Vetë studentët kishin rënë dakord përmes grupeve të tyre të komunikimit se vijimi i bojkotit vetëm sa do t'i dëmtonte, pasi çdo orë e humbur shkon në dëm të formimit të tyre profesional.
Megjithatë, paralel me zhvillimin normal të leksioneve në disa prej institucioneve, rreth mesditës një grup i rinjsh u mblodh fillimisht para Universitetit Politeknik dhe më pas nisi një marshim drejt fakulteteve të tjera në kryeqytet, duke hyrë brenda sallave dhe ndërprerë orët e mësimit.
Me thirrjet “Bojkotoni mësimin” dhe “Bashkohuni me ne”, protestuesit kaluan nga Fakulteti i Ekonomisë te ai i Historisë dhe Filologjisë, te Drejtësia dhe fakultete të tjera, duke kërkuar nga kolegët e tyre që të braktisin sallat dhe t'i bashkohen lëvizjes. Më pas, ky grup u drejtua edhe drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku përsëritën të njëjtën thirrje para trupës studentore.
Në rang vendi, situata paraqitet e qetë dhe mësimi po zhvillohet rregullisht edhe në universitetet rajonale në Shkodër, Korçë, Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër.
Në Korçë, Këshilli Studentor kishte njoftuar që të premten se nga dita e hënë do të rikthehej plotësisht frekuentimi i auditorëve. Përmes një njoftimi zyrtar, u bë e ditur se vendimi erdhi pas qetësimit të situatës nga incidentet e dhunshme dhe pas adresimit të kërkesave të ngritura nga të rinjtë.
Sipas Këshillit Studentor në Korçë, bojkotimi nuk gjeti zbatim të plotë, pasi një pjesë e konsiderueshme e studentëve vijuan të merrnin pjesë rregullisht në leksione përgjatë gjithë ditëve të bojkotit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: