Sport
Tentuan t’i zhvasin 100 mijë euro Armand Dukës duke u hequr si Taulant Balla, arrestohen dy të rinjtë në Elbasan
Reklamë e Sponsorizuar
Një plan i sofistikuar mashtrimi, që kishte për shënjestër kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dështuar falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë së Shtetit. Dy të rinj nga Elbasani, Edison Korra, 24 vjeç dhe Orest Balla, 23 vjeç, janë vënë në pranga pasi tentuan të përvetësonin shumën prej 100 mijë eurosh përmes shantazhit online.
Autorët kishin krijuar një profil të rremë në aplikacionin “Signal”, ku prezantoheshin si ministri Taulant Balla, duke i kërkuar Dukës 100 mijë euro në formën e kriptovalutave. Duke nuhatur se bëhej fjalë për një kurth, kreu i FSHF-së ka njoftuar menjëherë organet ligjzbatuese. Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje, Duka ka bashkëpunuar me policinë, duke i udhëzuar mashtruesit që të kontaktonin me djalin e tij për marrjen e parave. Një agjent i infiltruar ka marrë rolin e ndërmjetësit, duke lënë një takim me të rinjtë në qytetin e Elbasanit.
Në momentin kur dy të dyshuarit u paraqitën për të marrë shumën e parave, forcat e rendit ndërhynë duke i kapur në flagrancë. Operacioni i koduar “Seen”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, çoi në arrestimin e menjëhershëm të Korrës dhe Ballës.
Pas arrestimit, ministri Taulant Balla ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka vlerësuar efikasitetin e Policisë së Shtetit në goditjen e këtij rasti kriminal. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen tejet vigjilentë ndaj tentativave për mashtrim në internet dhe të denoncojnë çdo rast të dyshimtë, duke kërkuar njëkohësisht nga platformat sociale një kontroll më të rreptë të llogarive të rreme.
Aktualisht, hetimet vijojnë për të zbardhur nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi. Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për veprime të mëtejshme ligjore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: