Sport
Operacioni ndërkombëtar: Kapet në Spanjë shkodrani i shpallur në kërkim për sulmin me armë ndaj një biznesi
Reklamë e Sponsorizuar
Operacioni i koduar "The Wanted" ka finalizuar kapjen e një 36-vjeçari nga Shkodra, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje, me synim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Prangosja e të riut u bë e mundur falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të menjëhershëm të informacioneve ndërmjet Policisë së Shtetit shqiptar dhe autoriteteve policore të Interpol Madridit.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin Armando Ndreu, 36 vjeç, lindur në qytetin e Shkodrës. Për këtë person, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte vendosur në vitin 2022 masën e sigurisë "Arrest në burg".
Ngjarja për të cilën akuzohet 36-vjeçari ka ndodhur në muajin mars të vitit 2022. Mësohet se për motive të dobëta, ai ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit S. S., ngjarje e regjistruar në lagjen “Skënderbeg” të qytetit verior, ku fatmirësisht pati vetëm dëme materiale.
Ndaj të dyshuarit rëndojnë zyrtarisht veprat penale të "Vrasjes" mbetur në tentativë, si dhe "Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Në vijim të procesit, strukturat e Interpol Tiranës janë duke bashkëpunuar ngushtë me homologët e tyre spanjollë në Madrid, për të përmbyllur procedurat burokratike dhe teknike për sjelljen e tij në Shqipëri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: