Kronikë
Kujdes nga mesazhet mashtruese në emër të bankave! Policia e Shtetit jep alarmin për rrezikun e boshatisjes së llogarive
Reklamë e Sponsorizuar
Një valë e re e mashtrimeve kibernetike ka vënë në shënjestër qytetarët, përmes mesazheve telefonike që dërgohen në emër të institucioneve bankare, me qëllim kryesor marrjen e të dhënave personale dhe financiare.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, mesazhet mashtruese u bëjnë thirrje klientëve që të konfirmojnë identitetin e tyre brenda një afati prej 24 ose 31 orësh. Për ta arritur këtë, mesazhet përmbajnë linkje që i orientojnë përdoruesit drejt faqeve të internetit që imitojnë në mënyrë identike portalet zyrtare të bankave.
Kjo teknikë e njohur në gjuhën e sigurisë kibernetike si “Smishing” ka për qëllim të sigurojë numrat e kartave të kreditit apo debitit, fjalëkalimet dhe kodet e konfirmimit. Këto informacione u lejojnë më pas autorëve të depërtojnë në llogaritë bankare të viktimave dhe të kryejnë transferta parash pa miratimin e tyre.
Autoritetet u bëjnë thirrje të fortë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin klikimin e çdo lidhjeje të dyshimtë. Gjithashtu, theksohet rëndësia e mosndarjes së të dhënave sensitive, numrave PIN apo kodeve të sigurisë. Nëse ndokush ka rënë pre e kësaj skeme duke plotësuar të dhënat e tij, këshillohet që të lidhet menjëherë me bankën përkatëse për të bllokuar kartën dhe aksesin në llogari.
Ndërkohë, strukturat e specializuara për Hetimin e Krimit Kibernetik janë angazhuar intensivisht në terren për gjurmimin dhe zbulimin e autorëve, ndërsa qytetarët ftohen që çdo rast të tillë ta denoncojnë menjëherë pranë organeve të rendit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: