Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Kriza në arsim alarmohet nga ekspertët: Kërkohet konsensus kombëtar për reforma urgjente

Redaksia Lajmetereja • 02-11-2026 11:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kriza në arsim alarmohet nga ekspertët: Kërkohet konsensus kombëtar për reforma urgjente
Buxheti i pamjaftueshëm, vështirësitë në zbatimin e kurrikulave, rënia e cilësisë në mësimdhënie dhe shkëputja e sistemit arsimor nga kërkesat e tregut të punës ishin në qendër të diskutimeve gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar për Arsim. Gjatë kësaj tryeze ku u shqyrtuan sfidat dhe prioritetet e arsimit parauniversitar, autoritetet institucionale bënë thirrje për një bashkëpunim më të gjerë ndërinstitucional, ndërsa ekspertët e fushës e cilësuan situatën aktuale si alarmante, duke kaktuar vendosjen e një pakti kombëtar për arsimin. Gjatë diskutimeve të zhvilluara të hënën, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, theksoi se politika arsimore nuk mund të mbahet vetëm nga një dikaster, por duhet trajtuar si një detyrim i përbashkët mes institucioneve qendrore, pushtetit vendor, shkollave, shoqërisë civile dhe prindërve. Ai sqaroi se modeli i mësimit tërëditor për momentin po zbatohet vetëm në komunën e Prishtinës dhe atë të Kamenicës, ndërsa shtrirja e tij në shkallë vendi kërkon përgatitje të thella infrastrukturore dhe rishikim të kurrikulave. “Aktualisht janë dy komuna që po e zbatojnë këtë politikë. Është komuna e Prishtinës dhe e Kamenicës. Ne duhet të sigurohemi që t’i marrim mësimet prej këtyre dy komunave, në mënyrë që të mos i bëjmë gabimet e njëjta. Gabime të tjera mund të bëjmë, por të njëjtat s’kemi nevojë. Dhe, për këtë, padyshim që do të kemi komunikim dhe bashkëpunim me komunat, dhe pastaj nëse kemi bashkëpunim me komunat, që arsimi tërëditor është mënyra më e mirë e organizimit në shkolla, atëherë në duhet të flasim edhe për infrastrukturën por edhe herë në duhet të flasim edhe për infrastrukturën por edhe kurrikulën që e mbështet një politikë të tillë... Ne tashmë jemi duke punuar në hartimin e një protokolli të ndërtimit të shkollave, të cilit duhet t’i binden të gjitha investimet e reja, krijimit apo adaptimit në infrastrukturën ekzistuese”, u shpreh Kryeziu. Duke u ndalur te arsimi profesional, ai bëri të ditur se në qarkullim janë 16 profile të arsimit dual, ndërsa paralajmëroi shtimin e tyre. Kryeziu insistoi në nevojën e një partneriteti më të ngushtë me ndërmarrjet private, në mënyrë që institucionet arsimore të jenë të përshtatura me nevojat reale të tregut të punës. “Na duhet bashkëpunim më i afërt me sektorin privat, për shkak se ata janë, si të themi, dera e parë e pranimit dhe adresa e parë e tregut të punës, dhe investimet në shkolla duhet të bëhen në atë drejtim që shkollat sa më shumë t’iu ngjajnë ndërmarrjeve e më pak shkollave konvencionale të cilat i njohim ne”, shtoi ai. Në krahun tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, paraqiti shqetësimin se implementimi i mësimit tërëditor përbën një barrë të rëndë financiare për komunat, sidomos për sa i përket procesit të rekrutimit dhe pagesës së stafit shtesë mësimor. “E para është çështja e financimit, buxheti. Konsideroj se ka nevojë për një adreism të qartë në raport me rrethanat aktuale. Kur e përmendim këtu. E para është në lidhje me rekrutimin e mësimdhënësve, veçanërisht kur shkojmë drejt rrugës së mësimit tërëditor, që është e papërballueshme për secilën komunë dhe secilin drejtor”, u shpreh Elshani. Ndërkohë, drejtori i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, bëri thirrje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që shkon përtej kalkulimeve ditore politike, duke nënvizuar se treguesit tregojnë një nivel alarmant, ku rreth 85 për qind e nxënësve nuk kanë të zhvilluar mjaftueshëm mendimin kritik. “Ka ardhë koha që ta shpallim një pakt nacional për arsimin, sepse situata tashmë ka kaluar në fazë urgjente dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga të gjithë akterët shoqërorë e institucionalë”, potencoi Ahmeti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar