Ekonomi
Tërhiqen dhe asgjësohen mbi 21 tonë produkte mishi të kompanisë ELKOS nën mbikëqyrjen e AUV-së
Reklamë e Sponsorizuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë një tjetër aksion për tërheqjen dhe asgjësimin e produkteve ushqimore të dyshimta, duke shkatërruar gjithsej 21 mijë e 226 kilogramë mish dhe nënprodukte të tij, të importuara nga operatori ekonomik ELKOS SH.P.K.
Sipas të dhënat zyrtare të institucionit, ky operacion është finalizuar më 30 tetor, ku malli i tërhequr nga tregu u asgjësua përfundimisht në praninë e drejtpërdrejtë dhe nën kontrollin e rreptë të inspektorëve veterinarë.
Në listën e sasisë së madhe të shkatërruar përfshihen lloje të ndryshme ushqimesh, ku bëjnë pjesë mushkëritë, kofshët dhe llojet e tjera të mishit të pulës, mishi i grirë, si dhe mishi i gjedhit bashkë me artikuj të tjerë ushqimorë.
Ky zhvillim vjen si vazhdimësi e masave të ndërmarra më parë nga AUV-ja, e cila kishte urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të tregtimit, tërheqjen dhe asgjësimin e 3 mijë e 130 kilogramëve kofshë pule të ngrira, pasi gjatë kontrolleve ishte konstatuar prania e mykut.
Përfaqësuesit e agjencisë kanë bërë të ditur se procesi i gjurmimit dhe grumbullimit të sasive shtesë mbetet i hapur dhe po vazhdon, sidomos për mallrat ku janë konstatuar shqetësime apo ndryshime në cilësitë organoleptike, duke përfshirë shfaqjen e mykut.
Në fund, AUV ka theksuar se do të mbajë nën vëzhgim të vazhdueshëm situatën, duke kryer verifikime të detajuara të dokumentacionit të importit, kushteve të magazinimit dhe zinxhirit të ftohjes, me qëllim parësor mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: