Ekonomi
Bllokada politike i kushton Kosovës: Humbiten 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së
Reklamë e Sponsorizuar
Kosova ka pësuar një goditje financiare duke humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si pasojë e mosrealizimit të gjashtë reformave thelbësore që kishin afat deri në qershor të vitit 2026.
Lajmi është konfirmuar nga kryenegociatori i vendit me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, gjatë raportimit të tij para Komisionit për Integrim Evropian. Gjatë kësaj paraqitjeje, ai sqaroi se nga 13 hapa të parashikuar, vetëm shtatë prej tyre janë përmbushur me sukses, ndërsa gjashtë të tjerë kanë mbetur peng i bllokadave politike dhe i paralizimit të punës në Kuvend.
"Siç e dini, Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e 882.6 milionë euro, ku 2/3 janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, deri në fund të gushtit të vitit që vjen. Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milionë euro. Shuma përfundimtare do të mbahet prej vlerësimit të Bashkimit Evropian, me ç’rast po besojmë që në këto ditë të para të nëntorit do ta bëjnë të ditur se sa realisht do të jetë vlerësimi i saktë. Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit," deklaroi Zulfaj.
Duke e vënë theksin te sfidat që e presin vendin, kryenegociatori përsëriti se fondi total i këtij plani arrin në 882.6 milionë euro, ndërkohë që deri më 31 dhjetor Kosova ka për detyrë të mbyllë me sukses edhe 22 hapa të tjerë reformues, të cilët kapin vlerën e 131.5 milionë eurove.
Për t'i arritur këto synime, ai bëri të theksuar se duhet patjetër miratimi i dhjetë akteve në Kuvend, duke përfshirë këtu projektligjet kyçe për inovacionin, prokurimin publik, si dhe partneritetin publiko-privat.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: