Sport
Spektakël golash në Bernë: Zyrihu përmbys Young Boys dhe i shkakton humbjen e parë sezonale
Reklamë e Sponsorizuar
Një prej takimeve më të jashtëzakonshme të këtij edicioni në elitën e futbollit zviceran u zhvillua këtë të diel në stadiumin “Wankdorf” të Bernës, duke dhuruar plot tetë gola dhe një kthesë dramatike të rezultatit.
Në kuadër të javës së 12-të, FC Zürich triumfoi me shifrat 5:3 ndaj Young Boys, pasi e mbylli pjesën e parë në disavantazh, duke i dhënë fund kështu ecurisë pa asnjë humbje të vendasve në këtë kampionat.
Vëmendja u ndez që në minutën e 12-të, kur Philippe Kény kaloi mysafirët në avantajgë duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Përgjigja e vendasve nuk vonoi dhe Samuel Essende vendosi ekuilibrin në minutën e 22-të.
Emocionet u shtuan kur Umeh Emmanuel rimori epërsinë për Zyrihut vetëm tri minuta më vonë, por i papërmbajtshëm u tregua sërish Essende, i cili me golin e tij të dytë personal në minutën e 29-të barazoi shifrat në 2:2.
Pjesa e parë foli përfundimisht për vendasit, pasi në minutën e 40-të Alvyn Sanches realizoi golin e tretë, duke e dërguar Young Boys në dhomat e zhveshjes me epërsinë 3:2.
Pas rifillimit të lojës, FC Zürich u shfaq shumë më këmbëngulës dhe e kthehu rrjedhën e ndeshjes në favor të tij.
Livano Comenencia riktheu barazimin 3:3 në minutën e 60-të, duke rihapur plotësisht llogaritë e takimit për skuadrën udhëtuese.
Episodi që vendosi fatin e ndeshjes u regjistrua në minutën e 82-të. Pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga kapiteni Lindrit Kamberi, portieri vendas largoi topin, por në vendin e duhur u gjend Selmin Hodza, i cili shënoi për 4:3.
Ndërkohë, në minuta shtesë (92'), Umeh Emmanuel vulosi triumfin e madh duke shënuar golin e tij të dytë personal dhe për ta mbyllur ndeshjen në 5:3.
Kjo disfatë shënon humbjen e parë për Young Boys pas 11 xhirove të para ku kishin ruajtur ecurinë pa njollë.
Nga ana tjetër, ky sukses i bujshëm në Bernë ka vlerë të jashtëzakonshme për Zyrihun, sidomos për mënyrën se si u arrit përmbysja e madhe në fraksionin e dytë.
Në këtë përballje spikatën paraqitjet e futbollistëve, ku veçohet roli i mbrojtësit dhe kapitenit të FC Zürich, Lindrit Kamberi, i cili ndihmoi në aksionin e golit vendimtar.
Ballafaqimi në stadiumin “Wankdorf” u ndoq nga afër prej 29.746 shikuesish, të cilët patën fatin të shijojnë një ndeshje me ritëm të lartë dhe kthesa të papritura.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: