Aktuale
Bllokada e përditshme në hyrje të QKUK-së, drejtuesit e automjeteve apelojnë për ndërhyrje urgjente
Reklamë e Sponsorizuar
Çdo fillimdite, te rrethrrotullimi pranë një prej qasjeve për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – në hyrje të Prishtinës nga drejtimi i Veternikut – krijohen radhë të gjata automjetesh që tashmë janë bërë të zakonshme.
Shoferët që qarkullojnë në këtë zonë të kryeqytetit ballafaqohen vazhdimisht me ngecje në trafik, andaj kërkojnë zgjidhje konkrete që do të lehtësonin dhe felësonin lëvizjen e mjeteve.
“Ato duhet me i lanë e me i pagu dikund më në rregull qysh është”, është shprehur një qytetar.
Ndërkaq, njohësit e fushës së komunikacionit sugjerojnë disa hapa për ta sanuar këtë problematikë. Eksperti i komunikacionit, Lavdim Hamiti, sugjeron se një nga alternativat më të përshtatshme është hapja e dy shiritave në hyrje të QKUK-së, çka do t'i jepte mundësi automjeteve të lëvizin me ritëm më të shpejtë, sidomos gjatë orëve të para të ditës kur frekuentimi i trafikut është në kulm.
“Është e mundshme që të bëhen dy shirita në hyrje të spitalit, që të jenë dy barriera që mjetet që i kanë këtë pjesë qarkullimi, flugin e madh, në mëngjes, atëherë të kalojnë sa më shpejtë edhe nëse është e mundshme shëmbull të jetë një rrugë e veçantë vetëm për hyrje në spital”, ka deklaruar Lavdim Hamiti, ekspert i komunikacionit.
Në anën tjetër, nga Administrata e Komunës së Prishtinës bëjnë me dije se fluksi në këtë pjesë është i ndërlidhur edhe me zgjerimin e Prishtinës së Re dhe shtimin e numrit të qytetarëve që frekuentojnë këtë aks rrugor.
Sipas qeverisjes lokale, gjatë periudhave të kaluara, në bashkërendim me dikasteret përkatëse, janë ndërmarrë intervenime te sistemi i pagesave dhe i laurave në hyrje të QKUK-së, të cilat u zhvendosën rreth 50 deri në 80 metra më në thellësi.
“Sot situata, është komplet një situatë e re dhe pas asaj ndërhyrje. Mendoj se me hapjen e rrugës A. Drejtoria e mobilitetit, do ta sheh lëvizshmërinë çka do të ndodhë me lirimin e atij segmenti shumë të madh”, ka theksuar Pëllumb Bajqinovci, drejtor i mobilitetit.
Autoritetet komunale nënvizojnë se do të ndërmarrin veprime konform situatës reale në terren, megjithëse mbeten me shpresë se finalizimi dhe lëshimi në qarkullim i Rrugës A do të sjellë efekte pozitive në shkarkimin e trafikut dhe zhbllokimin e këtij nyjeje rrugore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: