Ekonomi
Kriza e çmimeve në Mitrovicë: Qytetarët dhe pensionistët ngrenë alarmin për pamundësinë e mbulimit të shpenzimeve
Reklamë e Sponsorizuar
Vala e shtrenjtimit të produkteve bazë dhe shërbimeve jetësore ka sjellë vështirësi të mëdha për banorët e Mitrovicës, sidomos për shtresat e ndjeshme si pensionistët dhe familjet me buxhet të pakët. Sipas të dhënave, inflacioni ka prekur shifrën prej 7.8 për qind, ndërsa qytetarët shprehen se të ardhurat e tyre mujore nuk mjaftojnë për të mbyllur muajin. Përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë se kjo situatë rëndohet akoma më shumë nga shkalla e lartë e papunësisë, pagat e pamjaftueshme dhe mungesa e perspektivës për punësim.
Rifat Ahmeti, një nga banorët e zonës, ka shprehur shqetësimin e tij për mospërputhjen mes të ardhurave dhe kostos së jetesës, duke theksuar se pensionet aktuale janë tejet të ulëta përballë çmimeve që vetëm rriten.
“Çmimet janë shumë të larta, ndërsa pensionet dhe rrogat nuk janë të mëdha. Pensionet i kemi shumë të vogla, kurse çmimet janë të larta. Për ne nuk po interesohet askush. Ai që ka fëmijë e ka edhe më vështirë, ndërsa ai që nuk ka fëmijë po kapërcen disi”, u shpreh Ahmeti.
Nga ana e tij, Bedri Ibrahimi ka vënë inatin e tij mbi praktikat e tregtarëve, duke sugjeruar se përballueshmëria e shpenzimeve varet direkt nga numri i anëtarëve në familje dhe madhësia e pensionit.
“Çka me thënë? Nevojë e tregtarëve, s’po di tjetër çka me thënë, veç nevojë e tregtarëve. Nevoja të shtin me përballu edhe ata, edhe ata, tjetër nuk ka. Po varet sa shpenzon, sa anëtarë jeni në familje. Varet krejt prej asaj, edhe sa e ke pensionin. Nëse e ke pensionin pak më të mirë, prapë mundesh me bo diçka, përndryshe vështirë. Krejt këto, krejt nevojë e tregtarëve janë. Qaty e blen 1.20, 1.50 euro, ma anej del ta shet 2 euro”, tha Ibrahimi.
Një tjetër qytetar, Sjedi Rrustemi, i cili jeton në Suedi, ka bërë një krahasim të drejtpërdrejtë të çmimeve dhe pagave mes Kosovës dhe shtetit skandinav, duke i quajtur tarifat aktuale në vend si të papërballueshme dhe të tepruara.
“Rritja e çmimeve me këto rroga nuk shkon. Rroga 150 euro për pensionerë – ne të tjerët çka bëjmë pa to? Ai që nuk punon, ku me i marrë ato pare? Çmimet janë diçka të tepërta. Unë nuk jetoj këtu, jetoj në Suedi. Për shembull, 12 kruna kushton një kilogram banane, që i bie rreth 1.20 euro. Këtu një kilogram banane kushton më shumë. Kush i blen? Ai që ka mundësi i blen, ai që nuk ka, nuk i blen. Çmimet janë shumë të mëdha. Specat dimrit i kam marrë këtu në Emona për 5 euro, ndërsa në Suedi janë rreth 4 euro. Po flas për Suedinë, ku rrogat janë shumë më të larta, ndërsa këtu rroga është 150 euro dhe buka kushton 60, 70 apo edhe 80 cent. Çmimet janë të tepruara. Si mundet t’u bëjë ballë populli, nuk e di. Rrogat nuk janë rritur në përputhje me çmimet. Unë rrymën e kam paguar. Jetoj vetëm në banesë dhe më ka ardhur 47 euro rrymë, edhe pse nuk kam larë rroba në makinë. Çfarë çmimi është ai? Thonë se rryma nuk është shitur, por unë këtë shumë as në Suedi nuk e paguaj. Pa i larë rrobat më ka ardhur 47 euro rrymë, ndërsa uji 20 euro. Domethënë, si mundemi me i përballu këto shpenzime? Çmimet janë diçka të tepruara”, u shpreh Rrustemi.
Ndërkaq, Deli Sefedini ka treguar vuajtjet e përditshme të pensionistëve, duke shtuar se pavarësisht 35 viteve të kaluara në punë, atij i janë njohur vetëm 15 vite për pension, gjë që e bën jetesën edhe më sfiduese.
“Ma mirë mos me fol hiç, a po e sheh si janë bo çmimet. Na myten me çmime, pensione jo, punë jo, kurgjo jo, e ka kap tjetër kush në dorë, e na veç po rrime. 35 vjet kam punuar, një pension e marr 240€, po kqyre, idaren është gjithqysh edhe me pak”, deklaroi Sefedini.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: