Aktuale
Turqia ndërmerr hapin drastik: Ndalim i rrjeteve sociale për të miturit nën 15 vjeç dhe kufizime të rrepta për adoleshentët
Reklamë e Sponsorizuar
Autoritetet turke kanë nisur zyrtarisht zbatimin e kufizimeve të reja në hapësirën dixhitale, duke ndaluar përdorimin e platformave të mediave sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.
Sipas udhëzimit të ri, rrjetet sociale nuk do të lejojnë më krijimin e llogarive për individët që nuk kanë mbushur këtë moshë, ndërsa profilet ekzistuese të kësaj fasha do të fshihen gradualisht pas procesit të verifikimit. Siç bën të ditur agjencia e lajmeve Anadolu Agency, afati i fundit për konfirmimin e llogarive ekzistuese është caktuar data 31 mars 2027.
Konfirmimi i moshës do të realizohet përmes portalit shtetëror të shërbimeve elektronike, e-Devlet. Pas këtij procesi, përdoruesit do të pajisen me një kod dixhital (token) që u dëshmon platformave nëse kanë arritur moshën 15 apo 18 vjeç, pa pasur nevojë të zbulojnë të dhëna personale. Çdo kërkesë për regjistrim që nuk përmbush kriterin e moshës do të refuzohet automatikisht.
Kufizimet shtrihen edhe te grupmosha 15 deri në 18 vjeç, të cilët do të mund t'i përdorin rrjetet sociale vetëm nën kushte të posaçme. Llogaritë e tyre do të detyrohen të jenë private, mesazhet do të lejohen vetëm nga përdoruesit që ata ndjekin, ndërsa transmetimet live dhe reklamat e targetuara do të ndalohen rreptësisht. Njëkohësisht, kompanitë e teknologjisë do të duhet të integrojnë mekanizma shtesë të kontrollit prindëror, përfshirë kufizimin e kohëzgjatjes së qëndrimit online.
Kjo kornizë rregullatore është hartuar nga Drejtoria Turke për Sigurinë Kibernetike dhe u zyrtarizua përmes botimit në gazetën zyrtare më 10 tetor. Ajo detyron kompanitë e mediave sociale që të implementojnë protokolle të posaçme mbrojtëse për të miturit dhe sisteme të sigurta për verifikimin e moshës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë ruajtjes së privatësisë dhe të dhënave personale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: