Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Alarmi në QKUK: Dhjetëra raste të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes nga trupat e huaj

Redaksia Lajmetereja • 01-11-2026 12:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Alarmi në QKUK: Dhjetëra raste të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes nga trupat e huaj
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2025 dhe 2026 janë evidentuar gjithsej 26 raste të largimit të trupave të huaj nga rrugët e frymëmarrjes, duke ngritur shqetësimin për këtë dukuri shëndetësore. Sipas të dhënave zyrtare nga Klinika e Otorinolaringologjisë (ORL) dhe ajo e Pulmologjisë, gjatë vitit 2025 u shënuan 10 raste të ngulfatjes, ndërsa përgjatë vitit 2026, deri në rifreskimin e statistikave, ky numër ka arritur në 16 raste. Objektet e huaja të depërtuara përfshijnë kryesisht thërrime kikirikësh, lajthi, fara, si dhe lloje të ndryshme materialesh, ku një pjesë e konsiderueshme e këtyre incidenteve prekin fëmijët e vegjël, veçanërisht ata të moshës parashkollore. Pulmologu Besim Morina shpjegon se aspirimi i trupave të huaj përbën një sfidë mjekësore që shtrihet në disa specialitete, e cila në raste të rralla mund të prodhojë pasoja mjaft të rënda për shëndetin. Megjithatë, ai shton se në shumicën dërrmuese të situatave, objektet e huaja largohen me sukses dhe ngjarjet nuk përfundojnë me fatalitet për pacientët. Sipas specialistit, sfidë më vete mbetet fakti se shpesh të prekurit nuk e kuptojnë se kanë thithur një trup të huaj, pasi simptomat mund të shfaqen pas një kohe të gjatë dhe të kërkojnë ekzaminime të detajuara mjekësore për t'u zbuluar. “Jo gjithmonë jemi të vetëdijshëm për një trup të huaj të aspiruar, kemi pas raste kur njerëzit kanë aspiruar një trup të huaj dhe pas një kohe, pas ekzaminimeve të ndryshme, bronkoskopisë, endoskopisë, është vërejtur një trup i huaj që është aspiruar para një kohe të gjatë, në ato raste kemi kollë rezistente dhe ngacmuese, një kollë që nuk tërhiqet, pastaj kane dhe nje fishkëllime gjoksi,” thekson dr. Morina. Prania afatgjatë e këtyre objekteve në sistemin e frymëmarrjes, sipas mjekut, mund të gjenerojë komplikime kronike dhe dëmtime të pariparueshme. “Shumica e trupave të huaj, nëse qëndrojnë për një kohë të gjatë, mund të shkaktojnë probleme, si pleumoni kronike, qelbëzim dhe ndryshim në rrugët e frymëmarrjes ashtu që rrugët e frymemarrjes të ngushtohen ose të hipnotizohen dhe këto mund të japin pasoja dhe me afatgjata,” paralajmëron ai. Dr. Morina veçon fëmijët dhe të moshuarit si dy grupmoshat më të rrezikuara që kërkojnë vëmendje të shtuar, duke pasur parasysh se të moshuarit shpesh përballen edhe me sëmundje neurodegjenerative si Alzheimeri apo skleroza, të cilat ndikojnë në vetëdijsimin e tyre. Nga ana tjetër, Armend Shala nga Kryqi i Kuq këshillon se në raste të tilla urgjente, hapi i parë dhe më i rëndësishmi është ruajtja e qetësisë për të vlerësuar drejt gjendjen e personit në nevojë. “Hapi i parë që duhet të bëjmë është të mos kemi panik, sado që panikohemi nuk i ndihmojmë as personit në fjalë, as vetes. Dallojnë tre ngulfatje: e pjesërishme me vetëdije, kur personi veçse mundet me kërku ndihmë, ‘jep pak ujë’ ose diçka tjetër që nuk preferojmë me i jep ujë se mundet me u blloku dhe me shume, kur personi nuk mund të kërkojë ndihmë dhe nga instinkti vendos duart te fyti, ku bllokohet frymëmarrja komplet dhe kur personin e kemi pa vetëdije,” shpjegon Shala, duke detajuar protokollet e duhura të ndihmës së shpejtë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar