Politikë
“Asnjë lloj dhune nuk i ndal dot” – Erald Kapri paralajmëron ndryshimin rrënjësor: Rinia në shesh përballë shtetit policor
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka ngritur akuza të forta gjatë protestës së kësaj të shtunë, duke u shprehur se strukturat e rendit kanë shkelur hapur liritë dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve. Sipas tij, është përdorur forcë e pajustifikuar për shpërndarjen e turmës, duke përfshirë topat e ujit, lëndët piroteknike të tipit molotov dhe dronët, çka ka vënë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e të rinjve.
“Kjo është antikushtetuese, shumë e rëndë. Disa dhjetra protestues paqësorë që po protestonin para zyrës së Edi Ramës policia i zhvendosi në trotuar pa dhënë asnjë shpjegim. Është e qartë që jemi në një shtet policor që ka vendosur të shtypë protestën. Policia sot ka rrezikuar jetën e protestuesve përmes dronëve që hedhin bomba me gaz lotsjellës dhe janë rrëzuar jo një por dy. Edhe makinat e ujit ishin shtuar sot nga 2 janë bërë 6 e përveç dronëve, uji që është hedhur pa mëshirë, gazi lotsjellës”, u shpreh Kapri gj komunikimit me gazetarët.
Pavarësisht kësaj stuhie represioni, ai theksoi se brezi i ri i është drejtuar sërish sheshit masivisht, duke garantuar se dhuna e ushtruar dhe urdhëruesit e saj do të përballen me pasojat e rrepta ligjore. Përfaqësuesi i Partisë Mundësia nënvizoi se sjellja e forcave të rendit udhëhiqet direkt nga Kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij kërkon vetëm të sigurojë imunitet ndaj drejtësisë.
“Edhe sot sheshi u tejmbush, pavarësisht represionit të Ramës dhe policisë së tij politike, shpirti i protestës vazhdon. Vendi do një zgjidhje politike dhe sa kohë Rama nuk e kupton këtë gjë, shqiptarët do të vuajnë ndërkohë që Edi Rama kërkon të shtyjë ditët në pushtet sepse kërkon një garanci nga drejtësia që të mos shkojë në burg. Dhuna dhe çdo shkop gome që ata kanë goditur të rinjtë do marrë përgjigjen e duhur ligjore. E çdo drejtues policie, ata që kanë dhënë urdhër dhe ata të papërgjegjshëm që kanë ushtruar dhunë në protestë do përgjigjen para ligjit. Sot i mbron Edi Rama por shumë shpejt e dinë shumë mirë që nuk do t’i mbrojë më”, deklaroi ai.
Duke analizuar dinamikën e jetës parlamentare, Kapri akuzoi kreun e qeverisë se e ka shndërruar shtetin në një “republikë kryeministrore”, ku sipas tij drejtuesi i ekzekutivit nuk guxon të qëndrojë në zyrën e tij.
“Ne sot nuk jemi më një republikë parlamentare por republikë kryeministrore ku dhe Kryeministri nuk ka guxim të rrijë në zyrë por ka vënë në krye të shtetit drejtorin e Policisë Skënder Hitajn i cili është kthyer në një mercenar pushteti dhe po rreh protestuesit që kanë dalë në shesh për të kërkuar dorëheqjen e Ramës. Do përgjigjen, nuk mund t’i shmangen dot përgjegjësisë edhe ligjore por edhe në Parlament sado dhunën e kartonit ta bëjnë”, shtoi Kapri.
Në përmbyllje, Erald Kapri parashikoi një epokë të re për skenën politike shqiptare, e cila do të formësohet nga këmbëngulja e të rinjve për largimin e Ramës, duke ritheksuar mbështetjen e palëkundur të partisë së tij ndaj protestuesve.
“Ky është një moment historik, ka dalë rinia në shesh, ndryshimi po vjen. Kësaj radhe ndryshimi do të vijë i plotë. Klasa politike që kemi njohur këto 36 vjet nuk do të jetë më. Të rinjtë e kanë kuptuar këtë gjë ndaj edhe nuk i shkulen sheshit. Ne po i mbështesim përditë, do të jemi me ta përditë deri sa Edi Rama të pranojë përgjegjësitë, të japë dorëheqjen dhe të çlirojë vendin dhe pastaj vendi të përgatitet për zgjedhje të reja”, përfundoi ai.
Këtë të shtunë, qindra djem e vajza iu rikthyen sheshit për të kërkuar largimin e Kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që kjo protestë shënon ditën e 19-të të saj që prej nisjes më 13 tetor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: