Kronikë
Haradinaj: Kosova ndodhet de facto në zgjedhje, Kuvendi të reflektojë ndaj vendimit për Specialen
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka theksuar se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit mbyllet më 6 tetor, duke lënë hapësirë tejet të kufizuar kohore për konstituimin e institucioneve të reja.
“Gjykata e konfirmoi se më 6 tetor mbyllet afati për presidentin. Jemi shumë pak ditë”, u shpreh ai para fillimit të seancës plenare të Kuvendit.
Sipas ligjvënësit të AAK-së, vonesat e deritanishme në këtë drejtim nuk janë të rastësishme, ndërsa ka drejtuar akuza të drejtpërdrejta në adresë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti.
“Gjithë kjo kohë është djegur qëllimshëm nga LVV e Kurti. Këto ditë të mbetura janë ditë të rëndësishme për krijimin e institucioneve, por edhe për t’iu përgjigjur zërit të qytetarëve”, theksoi Haradinaj.
Gjatë prononcimit për media, ai u ndal edhe te vendimi i fundit i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin e cilësoi si një akt thellësisht të padrejtë dhe të papranueshëm.
“Vendimi dënues për udhëheqësit e UÇK-së është i papranueshëm për ne, për Kosovën, i padrejtë, sepse UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare”, deklaroi kreu i AAK-së.
Në këtë linjë, ai bëri thirrje që legjislativi t'i shfrytëzojë ditët e mbetura për të reaguar ndaj kësaj çështjeje, pavarësisht sfidave me krijimin e institucioneve të reja.
“Kuvendi duhet t’i shfrytëzojë këto ditë edhe nëse nuk i krijon institucionet, që t’i bashkohet zërit të qytetarëve, pra jo në emrin tonë ai vendim”, u shpreh ai.
Në përmbyllje, Haradinaj vlerësoi se situata aktuale politike e ka sjodhë vendin realisht drejt një procesi të ri zgjedhor, por insistoi se koha e mbetur nuk duhet të humbet.
“Jemi në zgjedhje realisht, sepse çdo gjë shkon drejt zgjedhjeve, por do të ishte e turpshme me i lënë këto ditë pa i shfrytëzuar, të paktën për t’u bërë bashkë me zërin e popullit”, përfundoi Haradinaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: