Kronikë
Skandali në Suharekë: Katër të akuzuar për “penthouse” pa leje dhe përfitim mbi 716 mijë euro
Reklamë e Sponsorizuar
Një “penthouse” prej 324 metrash katrorë i ndërtuar në kundërshtim me lejen, një sipërfaqe shtesë prej mbi 730 metrash katrorë dhe një dobi pasurore e llogaritur në vlerën e 716 mijë eurove përbëjnë boshtin e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren ndaj katër personave në lidhje me një ndërtim në qytetin e Suharekës.
Në mesin e personave të pandehur figuron edhe Nuhi Bytyçi, i cili është vjehrri i deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyçi.
Sipas dokumentit të akuzës, drejtori i Drejtorisë së Inspekcioneve, Agim Demiri, bashkë me inspektorin e ndërtimtarisë, Hafir Maliqaj, ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, pasi dyshohet se nuk i kanë kryer obligimet e tyre ligjore, duke i krijuar kështu mundësi Bytyçit që të ngrejë objektin përtej kritereve të përcaktuara në lejen ndërtimore.
Prokuroria ka konstatuar se në veprimet e zyrtarëve Maliqaj dhe Demiri plotësohen të gjitha elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës, ndërsa Nuhi Bytyçi akuzohet për ndërtim pa leje dhe Abdurrahim Hasani për punime të kundërligjshme ndërtimore, prandaj i është propozuar gjykatës shpallja e tyre fajtorë dhe dënimi sipas ligjit.
Hetimet tregojnë se autoritetet komunale kishin lëshuar një vendim për ndalimin e punimeve ilegale që në muajin mars të vitit 2022, mirëpo i njëjti nuk ishte zbatuar ashtu siç ishte kërkuar nga rregullat në fuqi.
Më tej, në dosjen e prokurorisë thuhet se zyrtarët nuk e kishin verifikuar zbatimin e vendimit deri në muajin qershor të atij viti, kohë kur gjatë një kontrolli të radhës kishin përpiluar një procesverbal me të dhëna jorealiste, duke pretenduar se investitori po vepronte në përputhje me lejen e dhënë.
Sipas detajeve nga aktakuza, projekti i ndërtimit të kompleksit afaristo-banesor në lagjen Slloxha të Suharekës kishte filluar nga Nuhi Bytyçi para se të sigurohej dokumentacioni i rregullt, ndërsa projektimi ishte bërë nga kompania “Bashkimi Projekt”, e cila drejtohet nga Abdurrahim Hasani.
Gjatë inspektimit të datës 7 mars 2022, zyrtarët kishin vërejtur se punimet kishin nisur pa leje, duke arritur deri në fazën e hapjes dhe betonimit të bodrumit, ku u lëshua urdhri për ndërprerjen e menjëhershme të tyre.
Megjithë urdhrat paraprakë, më 13 mars 2022, drejtori i Inspekcionit, Agim Demiri, kishte nxjerrë vendim zyrtar për ndërprerjen dhe konservimin e godinës, pasi u konstatua se punimet po vazhdonin ilegalisht dhe pa u përfillur vendimet e mëparshme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: