Politikë
Ministrja Kumbaro: Shkollat i rikthehen normalitetit, nxënësit u përballën me manipulim online dhe presione për bojkot
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka bërë të ditur se procesi mësimor në të gjitha institucionet arsimore të vendit, përfshirë ato në Tiranë dhe Kamzë, i është rikthyer plotësisht normalitetit pas tensioneve dhe sfidave të regjistruara gjatë dy javëve të fundit. Ajo theksoi se garantimi i sigurisë dhe i mirëqenies për fëmijët mbetet një angazhim parësor dhe përgjegjësi e përbashkët e institucioneve.
Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Kumbaro u ndal te ndikimi që ngjarjet e fundit kanë pasur te nxënësit dhe adoleshentët, duke vënë në dukje ekspozimin e tyre ndaj presioneve nga qarqe të ndryshme, manipulimeve digjitale dhe nxitjeve për braktisje të mësimit.
“Pas çdo diskutimi për shkollën dhe për rregullat, për sigurinë dhe të drejtat e fëmijëve, janë fëmijë konkretë, janë familje konkrete, me nevoja dhe ndjeshmëri konkrete. Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që çdo fëmijë të ketë një mjedis ku të ndihet mirë, i sigurt, i dëgjuar, i pranuar dhe i mbështetur”, u shpreh ajo.
Sipas ministres, situata e krijuar kërkon një analizë të thellë mbi mënyrën se si të rinjtë përballen me konfliktet, ndikimet e ambientit shoqëror apo kërcënimet, si dhe aftësinë e tyre për të kuptuar pasojat e vendimeve që marrin.
Gjatë dy javëve të shkuara, sipas saj, janë konstatuar raste shqetësuese të ushtrimit të presionit ndaj nxënësve, të cilët janë targetuar përmes thirrjeve të përhapura në rrjetet sociale nga individë apo grupe jashtë mjediseve shkollore, me qëllim bojkotimin e mësimit dhe përfshirjen në tubime gjatë orarit zyrtar.
“Manipulimi online ka qenë shumë i lartë, ku nxënësit që zhvillonin mësim përballeshin me presione nga jashtë shkollës, nga grupe të caktuara që bënin thirrje edhe të dhunshme për bojkot të mësimit dhe dalje në tubim gjatë orëve të mësimit, pa dijeninë e prindërve, të cilët i kanë sjellë në shkollë dhe jo në tubim”, deklaroi Kumbaro.
Përballë kësaj situate, ajo bëri me dije se dikasteri që drejton ka intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme, si dhe me Agjencinë për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.
Në të njëjtën kohë, strukturat e arsimit janë mobilizuar për të udhëzuar drejtuesit e shkollave, për të mbështetur punën e ekipeve psikosociale dhe për të ngritur në një nivel më të lartë komunikimin me prindërit e nxënësve.
Kumbaro nënvizoi se ky koordinim i ngushtë do të vijojë me qëllim nxjerrjen e konkluzioneve të duhura nga ngjarjet e fundit dhe krijimin e një mjedisi të mbrojtur dhe të qetë për nxënësit.
“Normalizimi i situatës është i rëndësishëm dhe unë mund t’ju konfirmoj plotësisht që të gjitha shkollat, kryesisht shkollat e mesme ku i kemi pasur edhe problematikat në qytetin e Tiranës dhe në bashkinë e Kamzës, kanë hyrë të gjitha në normalitet dhe kudo tjetër në Shqipëri”, përfundoi ministrja.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: