Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Vendim i Gjykatës Supreme: Policia nuk mund ta mbajë patentë-shoferin më shumë se tetë ditë

Redaksia Lajmetereja • 30-10-2026 19:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Vendim i Gjykatës Supreme: Policia nuk mund ta mbajë patentë-shoferin më shumë se tetë ditë
Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një vendim të rëndësishëm duke shpallur të paligjshëm dhe duke shfuqizuar paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes. Ky paragraf parashikonte që leja e drejtimit mund t'i kthehej qytetarit vetëm pasi të kishte përfunduar plotësisht masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit. Kjo betejë ligjore ka ardhur pas një padie të ngritur nga 28 paditës kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës. Kolegji kompetent i Gjykatës Supreme ka shqyrtuar konfliktin administrativ dhe ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë, duke rrëzuar kështu pjesërisht aktin nënligjor normativ në fjalë. Në arsyetimin e gjykatës theksohet se konfiskimi i përkohshëm i patentë-shoferit nga ana e policiei dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit janë dy kategori juridike plotësisht të ndryshme, të cilat nuk duhet të ngatërrohen gjatë praktikës së përditshme të zbatimit të ligjit. Duke u bazuar në nenin 244 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, institucioni i drejtësisë ka konkluduar se mbajtja e lejes së drejtimit nga uniformat blu nuk guxon të tejkalojë afatin prej tetë ditësh. Për pasojë, kushtëzimi i marrjes së këtij dokumenti me përfundimin e masës mbrojtëse – e cila mund të zgjasë nga tre, gjashtë e deri në dymbëdhjetë muaj – përbën një shkelje të hapur të ligjit. Sipas qëndrimit zyrtar të Gjykatës Supreme, një akt nënligjor nuk ka fuqi që të zgjerojë kompetencat e përcaktuara shprehimisht me ligj, e aq më pak të vendosë kufizime shtesë që nuk mbështeten mbi ndonjë bazë të qartë ligjore. Në të njëjtën kohë, gjykata ka hedhur poshtë si të pathemeltë kërkesën për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të po këtij neni. Ajo ka vlerësuar se këto dispozita kanë thjesht natyrë procedurale dhe organizative, pasi ato përcaktojnë qartësisht se cila njësi policore është përgjegjëse për ruajtjen e dokumentit dhe detyrimin për t'i lëshuar qytetarit një vërtetim zyrtar për marrjen e përkohshme të patentë-shoferit, pa i kaluar kurrsesi kufijtë e autorizimeve ligjore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar