Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Durmishi nga Prishtina: Bizneset e udhëhequra nga gratë, motor kyç për ekonominë rajonale dhe integrimin evropian

Redaksia Lajmetereja • 30-10-2026 15:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Durmishi nga Prishtina: Bizneset e udhëhequra nga gratë, motor kyç për ekonominë rajonale dhe integrimin evropian
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mori pjesë sot në Prishtinë në punimet e konferencës rajonale “SHE RISES REGIONAL 2026”. Gjatë fjalës së tij në panelin e dedikuar fuqizimit të sipërmarrësisë femërore përmes partneritetit ekonomik rajonal dhe perspektivës evropiane, ai solli në vëmendje nismat qeveritare për mbështetjen e grave në biznes, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe hapjen e horizonteve të reja të bashkëpunimit në rajon. Duke marrë fjalën, kreu i Minsitrisë së Ekonomisë dhe Punës vuri në dukje se kyçja aktive e grave në ekonomi paraqet një gurthemel për zhvillim afatgjatë, prodhimtari më të lartë dhe shfrytëzim optimal të burimeve mbarërajonale. “Sipërmarrësia e grave nuk përfaqëson thjesht një parim të barazisë, por një shtyllë të fuqishme të zgjerimit ekonomik, investimeve dhe aftësisë konkurruese. Obligimi ynë është të ndërtojmë ambientin e duhur që gratë jo vetëm të hapin biznese, por t'i shndërrojnë ato në ndërmarrje të suksesshme, të cilat investojnë, eksportojnë dhe gjenerojnë vende të reja pune”, u shpreh ndër të tjera Durmishi. Më tej, ministri ndau detaje mbi fondet e ndara gjatë vitit 2026 përmes Programit për Zhvillimin e Sipërmarrësisë dhe Konkurrueshmërisë, ku janë vënë në dispozicion 11,34 milionë denarë për ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, si dhe për zejtarët. Kjo masë siguron bashkëfinancim deri në 40 për qind të shpenzimeve për pajisje e makineri të reja, respektivisht deri në 200.000 denarë për çdo përfitues. Po ashtu, janë akorduar 2 milionë denarë për implementimin e standardeve globale në sektorin përpunues, me mbështetje që mbulon deri në 70 për qind të shpenzimeve, si dhe 5 milionë denarë të destinuara për nisma të përbashkëta mes bizneseve dhe akademisë, me synim nxitjen e inovacionit dhe përparimin teknologjik. Durmishi bëri të ditur gjithashtu se përmes Planit Operativ për Punësim për vitin 2026, i cili kap vlerën e 2,39 miliardë denarëve, ofrohet mbështetje për vetëpunësimin, sipërmarrësinë dhe trajnimin për aftësi të reja, duke i dhënë përparësi gjinisë femërore. Gjatë kësaj konference, vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive konkrete për integrimin e kompanive të drejtuara nga gratë në rrjetet e furnizimit të korporatave të mëdha ndërkombëtare dhe investitorëve të huaj. Në fjalën e tij, ministri vlerësoi se Maqedonia e Veriut poseduje një infrastrukturë të rëndësishme industriale dhe atraktivitet për kapitalin e huaj, mirëpo hapi i radhës duhet të jetë lidhja më e ngushtë e prodhuesve vendorë me tregjet globale dhe zinxhirët ndërkombëtarë të eksportit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar