Sport
Vijnë urimet e para ndërkombëtare për kryeministrin Kurti pas konstituimit të Qeverisë së re
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar mesazhe urimi nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, si dhe nga krerët e qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, me rastin e zgjedhjes së kabinetit të ri qeveritar dhe vazhdimit të mandatit të tij në krye të ekzekutivit.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, në telegramin e tij të urimit, ka vënë inorancë në lidhjet e ngushta bilaterale, duke e cilësuar Kosovën si një aleat kyç për Berlinin zyrtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Gjermania e vlerëson shumë Kosovën si një partner të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur stabilitetin, reformat dhe një të ardhme evropiane për rajonin”, thuhet në letrën e Rudolph, ndërkaq ka shtuar se orientimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian përbën bazën e partneritetit dypalësh, teksa ka rikujtuar se qasja gjermane mbetet e përqendruar te procesi i zgjerimit të BE-së.
Diplomati gjerman ka prekur në letrën e tij edhe procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e vlerësuar atë si faktor vendimtar për paqen afatgjatë në rajon.
“Shpresoj që ju dhe qeveria juaj do të angazhoni për rifillimin e shpejtë të tij dhe do të punoni drejt marrëveshjeve praktike, reciprokisht respektuese dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Rudolph.
Ndërkohë, shefi i ekzekutivit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i ka dërguar gjithashtu urimet e tij kreut të Qeverisë së Kosovës për detyrën e re, duke shfaqur optimizëm për intensifikimin e raporteve mes dy shteteve fqinje.
“Interesat tona të përbashkëta në fushën e ekonomisë, ndërlidhjes infrastrukturore, sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal krijojnë mundësi të rëndësishme për avancimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në këtë mesazh.
Në të njëjtën linjë, urime për nisjen e mandatit të ri ka përcjellë edhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, i cili i është drejtuar Kurtit me urimet më të sinqerta për “formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës dhe rizgjedhjen tuaj në detyrën e Kryeministrit”.
Spajiq ka vlerësuar lart lidhjet tradicionale dhe miqësore ndërmjet Podgoricës dhe Prishtinës, duke shprehur besimin se ky bashkëpunim do të fuqizohet përmes nismave rajonale, reformave evropiane dhe projekteve ekonomike.
“Jam i bindur se Qeveria e Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen tuaj, do të japë një kontribut të veçantë në këtë drejtim, si dhe do të ndërmarrë hapa vendimtarë drejt përparimit të mëtejshëm në rrugën e integrimit dhe arritjes së objektivave strategjike evropiane”, ka shkruar kryeministri malazez.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: