Kronikë
“Kij kujdes, ki urdhër mbrojtës” – Detajet tronditëse të mesazhit kërcënues që u la vetëm me shënim zyrtar
Reklamë e Sponsorizuar
Një mesazh shqetësues në aplikacionin WhatsApp, i dërguar më 21 shtator nga Jeton Sylaj ish-bashkëshortes së tij, Arlinda Zekajt, u trajtua nga prokuroria thjesht përmes një shënimi zyrtar. Ky fakt mbetet në qendër të raportit të përpiluar nga koordinatori nacional për dhunën në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas dokumentit zyrtar të nënshkruar nga prokurori Ersan Qavolli, më 21 shtator Arlinda Zekaj u paraqit në nënstacionin policor në Vitomiricë. Ajo raportoi se nuk po lejohej të hynte në banesën e përbashkët, pavarësisht se gjykata kishte lëshuar një urdhër që e detyronte Jeton Sylajn t'ia mundësonte kthimin. Ajo gjithashtu ngriti shqetësimin se ish-bashkëshorti ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës pa e njoftuar se kujt ia kishte lënë kujdestarinë e djalit.
Në raport citohet dëshmia e saj, ku ajo thotë: “Ndër të tjera deklaronte se me datë 21.09.2026, Jetoni i kishte dërguar një mesazh në rrjetin social WhatsApp, ku ju kishte drejtuar me fjalët ‘kij kujdes, ki urdhër mbrojtës, mos thuaj çka u ba’”.
Arlinda kishte theksuar se këto komunikime nga ish-bashkëshorti i saj përfaqësonin paralajmërime të hapura dhe se ajo jetonte në frikë të vazhdueshme nga ndonjë hakmarrje e mundshme.
Pasi hetuesi policor Sead Hamzic kontaktoi prokurorin kujdestar, Argzon Hasi, ky i fundit “kishte udhëzuar që rasti të procedohej me shënim zyrtar”, ndërsa viktimës iu kërkohej të paraqitej të nesërmen pranë Qendrës për Punë Sociale. Gjatë kësaj deklarate, ajo po ashtu theksoi se Policia nuk e kishte kontaktuar asnjëherë për të zbatuar urdhrin mbrojtës të lëshuar më 7 shtator.
Ditën e nesërme, më 22 shtator, me urdhër të prokurorëve Argzon Hasi dhe Suada Hamza, ndaj Jeton Sylajt u regjistrua rasti 2026-DA-1274 për veprat penale të mospërfilljes së urdhrit të gjykatës dhe keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijës. Verifikimet e Qendrës për Punë Sociale treguan se Sylaj ishte larguar për në SHBA që më 5 shtator, duke ia lënë fëmijën në përkujdesje vëllait të tij.
Megjithatë, koordinatori nacional nuk ka mundur të sigurojë të dhëna nëse ky rast ishte përcjellë zyrtarisht në prokurori. “Lidhur me rastin 2026-DA-1274, i cili është hapur për dy vepra penale kundër Jeton Sylaj dhe atë veprat penale ‘Mospërfillja e urdhrit të Gjykatës’ dhe ‘Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës’, nuk dihet nëse ky rast është dorëzuar në prokurori, nëse jo, pse nuk është dorëzuar?!”, thuhet ndër të tjera në raport.
Në shpjegimin e tij dërguar kryeprokurores së Pejës, prokurori Argzon Hasi u arsyetua se e kishte nisur procedurën për shkak të mospërfilljes së urdhrit gjyqësor lidhur me ndalesën e hyrjes në shtëpi. Ndërkaq, sa i përket fëmijës, ai kishte udhëzuar që të vihej kontakt me prokurorin për të mitur dhe institucionet sociale.
Më 22 tetor, Jeton Sylaj u kthye sërish në Kosovë. Vetëm tri ditë më vonë, Arlinda Zekaj u gjet e vrarë brenda shtëpisë së saj në Vitomiricë, ndërsa si i dyshuar kryesor për këtë krim tragjik është vëllai i Jetonit, Albert Sylaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: