Kronikë
Skandali me prokurimet publike, SPAK mbyll hetimet për ish-drejtorin e ARRSH-së Evis Berberi
Reklamë e Sponsorizuar
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake ndaj ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, të cilit i është komunikuar zyrtarisht mbyllja e dosjes hetimore për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në nëntë raste të ndryshme.
Berberi figuron si një ndër 26 personat e pandehur në këtë procedim penal, ku në qendër të hetimeve qëndron edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Me mbylljen e hetimeve nga ana e organit të akuzës, dosja voluminoze pritet t'i kalojë për shqyrtim Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Ish-drejtuesi i ARRSH-së akuzohet zyrtarisht për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, lidhur me procedurat e prokurimit të zhvilluara gjatë periudhës që ai ka qenë në krye të këtij institucioni. Kjo dosje përfshin disa nga projektet më madhore të infrastrukturës rrugore në vend, ku spikasin ndërtimi i Tunelit të Llogarasë dhe lotet e ndryshme të Unazës së Madhe të kryeqytetit.
Gjatë procesit hetimor, prokurorët e posaçëm kanë siguruar dhe administruar prova të rëndësishme materiale, duke përfshirë komunikime elektronike ndërmjet ish-zëvendëskryeministrbes Balluku dhe zyrtarëve të saj të varësisë, si dhe materiale të nxjerra nga ekspertimi i aparatit celular të vetë Evis Berberit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: