Kronikë
Vrasja makabre në Vitomiricë: Vëllezërit Sylaj dërgohen në Burgun e Sigurisë së Lartë
Reklamë e Sponsorizuar
Albert dhe Jeton Sylaj, dy vëllezërit e përfshirë në ngjarjen tragjike të 25 tetorit 2026, ku mbeti e vrarë Arlinda Zekaj, janë transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz. Sipas informacioneve, ata po mbahen në pavijone të ndara brenda këtij institucioni korrektues.
Ngjarja e rëndë ndodhi në shtëpinë e viktimës në Vitomiricë të Pejës, ku Albert Sylaj dyshohet se kreu vrasjen me sëpatë. I dyshuari u arrestua nga Policia e Kosovës në Deçan më 27 tetor, dy ditë pas krimit, dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Po ashtu, një muaj paraburgim i është caktuar edhe ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, i cili po përballet me akuza për kanosje dhe mospërfillje të gjykatës.
Dosja e Prokurorisë zbardh detaje tronditëse, duke e përshkruar vrasjen si një akt hakmarrës të Albert Sylajt, i cili reagoi pasi Arlinda Zekaj kishte denoncuar vëllanë e tij, Jetonin, për dhunë në familje. Sipas prokurorisë, pas kthimit të viktimës nga stacioni policor, autori e ndoqi atë deri në dhomën e gjumit dhe e goditi për vdekje me sëpatë, në prani të fëmijëve të mitur dhe nënës së tij.
Prokuroria ka argumentuar nevojën për mbajtjen e Albert Sylajt në paraburgim, duke përmendur rrezikun e arratisjes, ndikimin në dëshmitarë, fshehjen e provave dhe të kaluarën e tij kriminale, ku figuron i dënuar me katër aktgjykime të formës së prerë. Autoritetet vlerësojnë se masat e tjera alternative nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për sigurinë e procesit.
Ky rast ka shkaktuar reagime të ashpra institucionale. Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e drejtorit të Stacionit të Policisë në Pejë, Agron Hasanaj, së bashku me 10 zyrtarë të tjerë policorë. Vendimi erdhi pas publikimit të një audio-incizimi ku dëgjohet polici Faruk Muçolli duke refuzuar ndihmën ndaj viktimës, e cila paralajmëronte rrezikun për jetën e saj.
Vala e suspendimeve ka përfshirë edhe sistemin prokurorial. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë së Pejës, Lumturije Vuçetaj, si dhe zv.kryeprokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila mbante postin e koordinatores për rastet e dhunës në familje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: