Politikë
Kurti pret në takim gjeneralin amerikan Grynkewich, diskutohet për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjithashtu komandant i Komandës për Evropë të Shteteve të Bashkuara, Gjeneral Alexus Grynkewich. Gjatë këtij takimi, në delegacion ishin të pranishëm edhe komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Roberto Vergori, si dhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati.
Gjatë bisedës, kreu i ekzekutivit bëri të ditur se për katër vjet rresht buxheti për mbrojtjen ka kaluar shifrën prej 2% të Prodhimit të Bruto Brendshëm. Ai veçoi se vetëm javën e kaluar janë betuar 515 ushtarë të rinj, ndërsa këtë javë kanë nisur stërvitjen bazë edhe 209 rekrutë të tjerë, duke vënë në pah se Kosova po vijon investimet në trajnime dhe armatim me qëllim të avancimit profesional dhe fuqizimit të mbrojtjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Po ashtu, ai shtoi se vendi ynë ndodhet përpara afateve të parapara në planin dhjetëvjeçar dhe se ky objektiv do të realizohet plotësisht para vitit 2028.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë të institucioneve të Kosovës për angazhimin historik të NATO-s në çlirimin e vendit, si dhe falënderoi misionin e KFOR-it për punën e palodhur në ruajtjen e paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjatë në rajon.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: