Politikë
Osmani kërkon ndihmën e Parisit për rrugëtimin evropian dhe mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit
Reklamë e Sponsorizuar
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, po zhvillon një vizitë zyrtare në Paris, ku po zhvillon takime të rëndësishme në Senatin francez, Asamblenë Kombëtare dhe instanca të tjera shtetërore, me fokus kryesor të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe situatën gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit zyrtar, temat kyçe të diskutimeve në kryeqytetin francez janë bllokada aktuale në procesin e integrimit evropian të vendit, si dhe domosdoshmëria e garantimit të stabilitetit multietnik nëpërmjet zbatimit të plotë dhe pakompromis të Marrëveshjes së Ohrit.
Gjatë takimeve janë analizuar gjithashtu modalitetet për një përfshirje graduale të vendit në politikat dhe strukturat e Bashkimit Evropian, me qëllim që qytetarët të ndiejnë përfitimet konkrete të reformave edhe para anëtarësimit zyrtar në bllok.
Në këtë kuadër, Osmani ka kërkuar një rol më aktiv dhe mbështetje më të fortë nga Franca, për të siguruar një qasje të drejtë, të qartë dhe uniforme ndaj rrugëtimit evropian të shtetit, përfshirë edhe asistencën në tejkalimin e mosmarrëveshjeve dypalëshe me Bullgarinë.
“Nuk duhet të lejojmë që Maqedonia e Veriut të mbetet jashtë proceseve kryesore evropiane në rajon. Është bërë shumë, do të thosha është investuar shumë, veçanërisht edhe nga Republika Franceze në këtë proces, për çka jemi jashtëzakonisht mirënjohës. Por, është e qartë se kemi nevojë për mbështetje shtesë, në mënyrë që procesi i integrimit të vazhdojë”, ka deklaruar ndër të tjera Osmani.
Një hapësirë e veçantë iu kushtua ruajtjes së Marrëveshjes së Ohrit, e cila konsiderohet si gurthemel i paqes, barazisë dhe bashkëjetesës ndëretnike. Me këtë rast, zyrtari i lartë i BDI-së shprehu shqetësimin e tij lidhur me tendencat që cenojnë të drejtat gjuhësore, përfaqësimin e drejtë dhe parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar arkitektura e brishtë e shtetit.
Në përfundim të takimeve, u rikonfirmua se respektimi i detyrimeve që derivojnë nga Marrëveshja e Ohrit dhe përparimi i pandalshëm drejt Bashkimit Evropian mbeten shtyllat kryesore prej të cilave varet paqja, siguria dhe ardhmëria euroatlantike e Maqedonisë së Veriut.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: