Kronikë
Valë revolte në Ferizaj: Qytetarët kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn dhe llogaridhënie institucionale
Reklamë e Sponsorizuar
Qindra qytetarë u mblodhën në një marshim protestues në qytetin e Ferizajt, duke nisur nga sheshi qendror për të vazhduar para stacionit të policisë, Prokurorisë Themelore dhe duke e përmbyllur para Gjykatës Themelore.
Gjatë kësaj proteste masive, u ngritën thirrje të forta për përgjegjësi institucionale, duke kërkuar shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeprokurores së Pejës, si dhe të gjithë zinxhirit policor për dështimet në mbrojtjen e jetës së grave.
Një nga organizatoreve të protestës theksoi se papërgjegjësia e institucioneve dhe mendësia patriarkale vazhdojnë të shtypin e dhunojnë gratë dhe ëndrrat e tyre, duke shtuar se rasti tragjik i Arlinda Zekajt nuk mund të mbyllet vetëm me një deklaratë zyrtare ngushëllimi.
"Jemi mbledhur përsëri për të kërkuar që jeta e një gruaje të mos mbetet thjesht një statistikë. Jemi mbledhur për të protestuar kundër këtij realiteti të përgjakshëm, sidomos këtë vit që po na i merr gratë një nga një si pasojë e papërgjegjësisë institucionale dhe mendësisë patriarkale. Jemi lodhur nga fjalët ngushëlluese dhe deklaratat boshe. Përfaqësues të institucioneve që dështuat ta mbroni Arlindën, përgjegjësia juaj nuk përfundon me një deklaratë. Polici, kur do të filloni t'i trajtoni denoncimet për dhunë me seriozitet? Prokurori dhe gjykatë, kur do të siguroni drejtësi që dhunuesit të mos përfitojnë nga neglizhenca? Kërkojmë mbrojtje konkrete për çdo grua në rrezik," u shpreh ajo.
Në krah të qytetarëve protestues ishte pranishëm edhe Drilon Cokli, vëllai i Erona Coklit – e cila u vra tragjikisht në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ngjarje kjo ku ai vetë mbeti i plagosur nga dora e vrasësit të motrës së tij.
Duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij ndaj vendimit për dënimin prej 24 vitesh burgim për vrasësin e motrës, ai bëri thirrje për reflektim dhe drejtësi për të gjitha viktimat e dhunës në vend.
"Deri kur do të vazhdojmë të humbim njerëz të pafajshëm në Kosovë? Çdo vrasje lënë pas familje të shkatërruara dhe dhimbje që nuk sherohet kurrë. Më 12 prill 2024 humba motrën time, Eronën, dhe jeta jonë ndryshoi përgjithmonë. Si t'ia shpjegosh një fëmije se nëna e tij nuk do të kthehet më? Si familje, nuk jemi të kënaqur me dënimin prej 24 vitesh, sepse asnjë vendim nuk e kthen Eronën mbrapsht, por kërkojmë që rasti i saj dhe çdo rast tjetër të trajtohet me seriozitetin maksimal," u shpreh ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: