Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Bojkoti i avokatëve bllokon procesin: Shtyhet seanca për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin

Redaksia Lajmetereja • 29-10-2026 13:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Bojkoti i avokatëve bllokon procesin: Shtyhet seanca për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin
Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin për të mos zhvilluar seancën gjyqësore ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në mungesë të mbrojtësve ligjorë, të cilët vazhdojnë të kundërshtojnë rregulloren e re të GJKKO-së. Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, pavarësisht vendimit të Apelit Administrativ, avokatët refuzuan të bëhen pjesë e seancës. Sipas tyre, ata nuk janë njoftuar në rrugë zyrtare dhe ligjore lidhur me pezullimin e bojkotit nga ana e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nisur nga kjo situatë, Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në datën 5 nëntor, ndërsa për seancën e ardhshme është caktuar një avokat kryesisht. Gjatë zhvillimit në sallë, Ilir Meta e vuri theksin tek mungesa e prokurorit Kllapi, duke e quajtur atë si një shenjë jo të mirë. "Nuk më duket e arsyeshme që e nisni gjyqin nga avokatët dhe jo nga unë, si i pandehur kryesor. Profesioni i avokatit varet thelbësisht nga DHKA-ja. Nuk është çështje mungese vullneti, por avokati im nuk mund të rrezikojë licencën. Duhej të ishte zgjidhur më herët ngërçi, pas gati 600 proceseve gjyqësore të bllokuara. Kërkojmë që, për shkaqe dhe arsye objektive, të mbrohem vetë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka pranuar raste të tilla", deklaroi Ilir Meta. Nga ana e saj, Monika Kryemadhi mbajti një qëndrim tjetër, duke kërkuar vazhdimin e procesit: "Mendoj se bojkoti është shpërdorim i profesionit të avokatit. Kërkoj të vazhdojmë seancën, sikundër ramë dakord radhën e kaluar". Ndërkohë, prokurori Arben Kraja u shpreh se mungesa e njërit prej prokurorëve nuk përbën arsye për shkelje proceduriale, duke shtuar se akuzat janë tejet të rënda dhe kërkojnë domosdoshmërisht praninë e avokatit. Kësaj deklarate, Kryemadhi iu përgjigj menjëherë duke thënë se prokurorët kanë kryer shkelje që nga faza e marrjes së provave, hyrjet në banesa dhe kontrollet e ushtruara. "Nuk u dhimbsen më shumë se neve akuzat tona prokurorëve. Ju keni bërë shkelje që nga ana e marrjes së provës, hyrja në shtëpi, kontrollet. Kjo që thotë prokurori është hipokrizi", u shpreh Monika Kryemadhi. Në fjalën e tij, Ilir Meta shtoi më tej: "Mendoj se profecia ime doli si atëherë kur paralajmërova tërmetin. Ndaj meje s’ka asnjë akuzë, se po të kishte, do e kishit mbushur me kamera këtu. Po keni marrë kallëzimin e Romeo Karajt për bazë dhe shqetësohesh ti për mbrojtjen? Kërkoj të vazhdojë seanca, të merret parasysh vendimi i kaluar". Pas këtyre diskutimeve, Gjykata e Posaçme është tërhequr për të marrë një vendim përfundimtar nëse seanca do të vijojë pa praninë e avokatëve apo jo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar