Kronikë
Tragjedi në Vitomiricë të Pejës: Gruaja gjehet e vdekur pak orë pas raportimit të dhunës në familje, në arrati dyshohet kunati
Reklamë e Sponsorizuar
Pejë, 25 tetor 2026
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Vitomiricë të Pejës, ku një grua ka humbur jetën në rrethana tragjike, pak orë pasi kishte kërkuar ndihmën e policisë për dhunë në familje. Rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë ishte njoftuar për një rast dhunë në këtë fshat.
Pas sinjalizimit, viktima ishte shoqëruar në ambientet e policisë për t'u intervistuar. Gjatë këtij aksioni, uniformat blu kishin arrestuar bashkëshortin e saj si person të dyshuar, të cilit iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh. Pas procedurave, me dëshirën e saj, viktima ishte kthyer sërish në shtëpinë e saj në Vitomiricë.
Mirëpo, situata ka marrë një kthesë fatale rreth orës 21:10, kur autoritetet janë njoftuar se e njëjta grua është gjetur pa shenja jete brenda shtëpisë.
Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendngjarje kanë mbërritur njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor. Ky i fundit nuk ka mundur të bëjë tjetër veçse të konstatojë vdekjen e viktimës.
Sipas informacioneve preliminare, ekzistojnë dyshime të forta se vdekja është shkaktuar si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Lidhur me këtë ngjarje të dytë kriminale, personi i dyshuar, që sipas hetimeve paraprake dyshohet të jetë kunati i viktimës, gjendet ende në arrati.
Për këtë rast tragjik është njoftuar menjëherë Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë personalisht në vendin e ngjarjes për të drejtuar hetimet. Ndërkohë, strukturat e rendit janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit, si dhe për kapjen dhe vënien para drejtësisë të personit të dyshuar që po kërkohet.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: