Sport
Tragjedia hekurudhore me 68 të vdekur në Spanjë: Zbardhen dështimet fatale dhe vendimet e gabuara që shkaktuan përplasjen
Reklamë e Sponsorizuar
Spanja është zhytur në zi kombëtare pas një prej fatkeqësive më të rënda hekurudhore në historinë e saj, ku të paktën 68 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 50 të tjerë janë plagosur nga përplasja e dy trenave në rajonin e Toledos. Ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet intenzive për zbardhjen e plotë të ngjarjes, vëmendja është përqendruar te një avari serioze në mekanizmat e sigurisë dhe te udhëzimet e gabuara të dhëna nga qendra e menaxhimit të trafikut "Adif", e cila lejoi lëvizjen e njërit tren ndërsa tjetri qëndronte i bllokuar në shina.
Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, i cili ka ofruar dorëheqjen e tij, e ka cilësuar si krejtësisht "të pashpjegueshëm" urdhrin që i dha dritë të gjelbër trenit "Renfe" për të vazhduar itinerarin normalisht, pavarësisht problemeve teknike të regjistruara në linjën e komunikimit dhe sistemin mbrojtës.
Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga ministri, stafi i kontrollit ishte paralajmëruar nga drejtuesi i një treni tjetër – i papërfshirë në aksident – se kushtet e sigurisë nuk lejonin qarkullimin e zakonshëm pas defektit. Megjithatë, treni "Renfe" mori lejen për të vijuar rrugën, çka çoi në përplasjen fatale me trenin "Iryo".
Aksidenti i rëndë ndodhi në linjën e shpejtësisë së lartë që lidh kryeqytetin Madrid me rajonin e Andaluzisë, konkretisht midis zonave Los Yébenes dhe Urda. Në bordin e dy mjetet hekurudhore udhëtonin më shumë se 540 pasagjerë. Goditja e fuqishme nxori nga shinat disa vagonë, një pjesë e të cilëve përfunduan poshtë argjinaturës.
Rindërtimi i ngjarjeve tregon se rreth orës 08:30 të mëngjesit ndodhi një bllokim komunikimi në tre kompjuterë të rrjetit, duke nxjerrë jashtë funksionit sistemin e kontrollit dhe sigurisë "LZB" në një distancë prej 63 kilometrash pranë stacionit Urda. Ky defekt shkaktoi ndalimin automatik të të gjithë trenave që qarkullonin në atë segment, ku sipas vlerësimeve fillestare u prekur gjashtë trena.
Në këto rrethana, qendra e kontrollit "Adif" në stacionin "Atocha" mori përsipër menaxhimin manual të lëvizjes. Protokolli i sigurisë përcaktonte se mjetet duhet të lëviznin me shpejtësi të reduktuar vizuale – pa kaluar kufirin prej 40 kilometrash në orë – në mënyrë që makinistët të kishin mundësi të ndalonin përpara çdo pengese.
Pavarësisht kësaj rregulloreje, në orën 08:36 qendra e komandimit i dha leje trenit "Renfe" të vijonte udhëtimin me shpejtësi të plotë. "Ju paraqes faktet, të cilat janë të pakundërshtueshme", deklaroi ministri Puente, duke theksuar se hetimi duhet të përcaktojë zinxhirin e përgjegjësisë se si u mor ky vendim fatal.
Treni "Renfe" përshkoi rreth 25 kilometra për 17 minuta përpara se të përplasej në orën 08:53. Ndonëse shpejtësia e saktë në momentin e goditjes është ende nën hetim, në këtë pjesë të linjës mjetet mund të lëvizin deri në 200 kilometra në orë. Ndërkohë, treni "Iryo" qëndronte i palëvizur në shina pranë hyrjes së stacionit për shkak të semaforit të kuq, duke bërë që përplasja të ishte e pashmangshme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: