Sport
Stuhia te Manchester United: Scholes dhe Rooney shpërthejnë me kritika të ashpra ndaj kapitenit dhe skuadrës
Reklamë e Sponsorizuar
Momenti i vështirë që po kalon Manchester Unitedi ka nxitur reagime të forta nga dy prej ikonave të klubit, Paul Scholes dhe Wayne Rooney. Pas serisë së paraqitjeve zhgënjyese të “Djajve të Kuq”, të dy ish-lojtarët kanë vënë në shënjestër futbollistët, duke kontestuar hapur angazhimin e tyre dhe aftësinë për të mbajtur peshën e historisë së kësaj fanelle.
Në fokusin e kritikave të Scholes ka qenë sidomos kapiteni Bruno Fernandes, kurse Rooney ka qenë edhe më i rreptë me gjithë grupin, duke u hedhur në fytyrë mungesën e sakrificës dhe të përkushtimit në fushën e blertë.
Paul Scholes nuk i ka kursyer kritikat ndaj Bruno Fernandesit, duke reaguar ashpër pas fjalëve që mesfushori portugez pati drejt trajnerit Michael Carrick pas disfatës së rëndë përballë Comos në Ligën e Kampionëve.
“Si mund t’i besojë dikush Bruno Fernandesit si kapiten të cilësdo skuadër ku do të luajë tani? Mendoj se ndoshta duhet të largohet nga futbolli evropian dhe të shkojë në Arabinë Saudite, thjesht të largohet nga kjo situatë”, u shpreh Scholes.
Ai vazhdoi me tone të drejtpërdrejta ndaj kapitenit të Unitedit, duke ngritur dyshime mbi besueshmërinë që ai gzon te stafi teknik dhe trajnerët.
“Nuk mendoj se ndonjë trajner apo anëtar i stafit mund t’i besojë pas asaj që ndodhi”, shtoi ish-mesfushori anglez.
Nga ana e tij, Wayne Rooney, një nga golashënuesit më produktivë në historinë e klubit, ka drejtuar akuza të rënda në drejtim të pjesës tjetër të ekipit.
Sipas tij, futbollistët aktualë nuk kanë asnjë alibi për t'u mbrojtur nga vala e kritikave, veçanërisht për shkak të qasjes dhe shfaqjes së tyre në fushë.
“Nuk mendoj se lojtarët kanë argumente të forta për t’u mbrojtur. Unë isha një lojtar që mund të shënoja gola dhe kisha cilësi, por të paktën vrapoja, punoja fort dhe angazhohesha për ekipin”, theksoi Rooney.
Ish-sulmuesi i njohur shtoi se do të dëshironte shumë të kishte një ballafaqim të drejtpërdrejtë me lojtarët brenda dhomave të zhveshjes.
“Do të doja të hyja atje, t’i ulja të gjithë dhe t’i pyesja: ‘Çfarë po bëni? Çfarë lloj paraqitjeje mendoni se është kjo? A mendoni vërtet se e meritoni ta vishni këtë fanellë, duke parë mënyrën se si lëvizni në fushë?’”, përfundoi Rooney.
Këto qëndrime të dy legjendave vijnë në një periudhë tejet të ndjeshme për Manchester Unitedin, ku rezultatet zhgënjyese dhe klima e tensionuar kanë rritur ndjeshëm presionin mbi vetë lojtarët dhe trajnerin Michael Carrick.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: