Politikë
Reforma fiskale për 2027: Hiqet taksa e qarkullimit për karburantet, rriten detyrimet për automjetet dhe përfshihen mjetet elektrike
Reklamë e Sponsorizuar
Pas një periudhe 15-vjeçare, taksa e qarkullimit pritet të largohet nga çmimi i naftës dhe benzinës, pasi qeveria ka parashikuar këtë ndryshim rrënjësor në paketën e re fiskale të vitit 2027.
Kjo nismë e re ka për qëllim lehtësimin e barrës financiare për qytetarët dhe konsumatorët, në një periudhë kur kostot e karburanteve po ndikohen dukshëm nga lëvizjet në bursat ndërkombëtare.
Në strukturën aktuale, çdo litër naftë në vendin tonë ngarkohet me disa detyrime fiskale: akciza llogaritet rreth 39,4 lekë për litër, taksa e qarkullimit është 27 lekë, ndërsa taksa e karbonit kap shifrën e 3 lekëve. Mbi këtë bazë totale, e cila përfshin çmimin dhe taksat e tjera, aplikohet gjithashtu Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në masën 20%.
Eliminimi i këtij detyrimi mund të sjellë një ulje të ndjeshme të çmimit të karburantit, duke i dhënë një frymëmarrje financiare qytetarëve që e paguajnë atë në çdo litër të blerë.
Duke qenë se taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër dhe mbi këtë vlerë llogaritet TVSH-ja prej 20%, heqja e saj do të krijonte hapësirë teorike për një ulje të çmimit final të naftës dhe benzinës deri në 32,4 lekë për litër. Megjithatë, ulja reale në treg do të varet nga mënyra se si efekti fiskal do të transferohet plotësisht te çmimet e shitjes.
Një hap i tillë do të shërbente gjithashtu për të amortizuar rritjet e pakontrolluara të çmimeve të karburanteve, të cilat diktohen nga tregjet e huaja prej nga Shqigëria bën importet.
Megjithatë, ky ndryshim nuk do të lërë pas dëmtime apo mungesa të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Burimet konfirmojnë se qeveria planifikon që këtë barrë ta zhvendosë te taksa e automjeteve, duke rritur detyrimin vjetor për mjetet, ku përfshihet shtrenjtimi i taksës për automjetet e luksit, si dhe përfshirja për herë të parë e makinave elektrike në skemën e taksimit.
Ky mekanizëm synon të kompensojë të ardhurat që buxheti i shtetit do të humbiste nga heqja e taksës në fjalë, duke ruajtur kështu të pandryshuar nivelin e përgjithshëm të arkëtimeve publike.
Nëse i referohemi viteve të fundit, gjatë periudhës 2023-2025 buxheti i shtetit ka arkëtuar mesatarisht rreth 21,7 miliardë lekë në vit vetëm nga taksa e qarkullimit, ndërsa vetëm përgjatë vitit 2025 këto të ardhura arritën në rreth 24,2 miliardë lekë.
Taksa e qarkullimit u ndryshua për herë të parë në vitin 2011, duke u hequr nga taksa fikse vjetore dhe duke u transferuar te konsumi i karburantit. Fillimisht, kjo taksë mbi karburantet u vendos në masën 5 lekë për litër, për t'u rritur më pas në mënyrë graduale deri në 27 lekë në vitin 2015, nivel ky në të cilin ka mbetur e pandryshuar deri në ditët e sotme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: