Aktuale
Kriza në Qendrat për Punë Sociale: Mungesa kronike e stafit dhe psikologëve rrezikon shërbimet për qytetarët
Reklamë e Sponsorizuar
Sfidat infrastrukturore mbeten vetëm në plan të dytë përballë problemeve më të thella që po i shoqërojnë Qendrat për Punë Sociale (QPS) ndër vite, ku mungesa e personelit të mjaftueshëm vazhdon të përbëjë ngarkesën kryesore për funksionimin e tyre të përditshëm.
Një gjendje e tillë mbretëron edhe në Fushë Kosovë, e cila renditet ndër komunat me zgjerimin më të shpejtë demografik dhe me numrin më të lartë të banorëve në vend.
"Qendra për Punë Sociale numëron katër punëtorë, zyrtarë të shërbimit social, të cilët japin shërbime për secilin klient që ne vlerësojmë se ka nevojë për shërbim, aktualisht për numër të banorëve është numër i kufizuar", u shpreh Abaz Xhigoli, drejtor i QPS-së.
Duke pasur parasysh shtimin e vazhdueshëm të rasteve që kërkojnë trajtim institucional, Xhigoli veçoi edhe mungesën e ekspertëve të fushës së psikologjisë si një nga pengesat kryesore në punën e tyre.
"Ne kemi shumë edhe njerëz që kanë nevojë, por që neve na mungon fusha e psikologut për të pasur mundësi fëmijët apo të moshuarit, apo viktimat që kanë nevojë për riintegrim apo rehabilitim social të tyre", theksoi ai.
Situatë aspak më e favorshme nuk paraqitet as në Qendrën për Punë Sociale në kryeqytet, ku ngarkesa e punës është po aq sfiduese për stafin ekzistues.
Duke folur rreth kësaj çështjeje, drejtori Bajram Shala ka paraqitur detaje konkrete mbi sfidat me të cilat ballafaqohen çdo ditë.
"Nëse kemi në konsideratë numrin e madh të banorëve, numrin e madh të kategorive të rasteve që marrin shërbime sociale dhe numrin e zyrtarëve të shërbimeve sociale që ofrojnë shërbime për këto kategori, nënkuptojmë se për të ofruar shërbime sociale profesionale cilësore dhe për të përmbushur obligimet dhe përgjegjësitë e QPS-së sipas ligjeve dhe legjislacionit në fuqi në Kosovë kërkohet të plotësohet numri i zyrtarëve të shërbimeve sociale. Aktualisht kemi një zyrtar për çështje psikologjike të punësuar në njërën nga njësitë e QPS-së në Prishtinë", u shpreh Bajrami.
Vakume të ngjashme në numrin e punonjësve dhe mungesë të psikologëve dëshmohen gjithashtu në Qendrën për Punë Sociale në komunën e Gjakovës.
"Qendra për Punë Sociale ka shtatë zyrtarë të shërbimeve sociale të profileve të ndryshme, por në raport me trendet e rritjes së rasteve, duke përfshirë dhunën në familje dhe divorcet, ky numër është i pamjaftueshëm. Duke marrë parasysh kërkesat, ne kemi zyrtarë të shërbimeve, por të punësuar ekstra psikolog i cili ofron trajtimin e rastit, pra edhe iu përgjigjet gjykatave, QPS nuk e ka të punësuar ndonjë të tillë", u shpreh drejtoresha e QPS-së në Gjakovë, Jozefina Osmani.
Këto parregullsi dhe mangësi në funksionimin e Qendrave për Punë Sociale janë konstatuar tash e sa vite, ndër të tjera, edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm përmes një raporti të publikuar tri vite më parë. Aty kërkohej me insistim që t'i jepej përparësi shqyrtimit të rasteve dhe parandalimit të çfarëdo vonese që mund të rrezikojë sigurinë e viktimave, duke siguruar një mbështetje të vazhdueshme për ta, e cila përfshin strehimin, asistencën sociale dhe ekonomike, si dhe qasjen në shërbime të specializuara.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare nuk kanë ofruar ndonjë përgjigje zyrtare lidhur me shqetësimet e ngritura rreth kësaj teme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: