Politikë
Përplasja për Ligjin e Autoritetit: Acromax denoncon rrezikun e censurës online, ministria jep shpjegimin zyrtar
Reklamë e Sponsorizuar
Miratimi i Ligjit për të drejtat e autorit në Kuvendin e Shqipërisë ka shoqëruar me paqartësi dhe debate të forta rreth modaliteteve të zbatimit të tij nga grupet e ndryshme të interesit në vend.
Aldor Nini, drejtues i kompanisë “Acromax” që menaxhon të drejtat digjitale të disa artistëve dhe mediave, ka ngritur alarmin se akti i ri normativ bie ndesh me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian.
“Ky ligj i shpikur nga Ministria e Kulturës bën diçka ndryshe nga direktiva e BE-së. Kjo shpikje shqiptare dëshiron të anashkalojë totalisht gjykatat dhe do që një zyrë brenda ministrisë të vendosë cila është shkelje e të drejtave të autorit dhe cila nuk është. Dhe këtu ka një problem shumë të madh sepse vendimi i kësaj qeverie është i ekzekutueshëm. Ti mund të shkosh në gjykatë por sa të zgjasë gjyqi, materiali mbetet i bllokuar”, deklaroi Aldor Nini.
Sipas Ninit, shtimi i 11 punonjësve të rinj në strukturën përgjegjëse të kësaj drejtorie përbën një kërcënim real për lirinë dhe censurimin e përmbajtjeve në internet.
“Ato 11 persona do të justifikojnë bllokimet që kjo qeveri do të bëjë”, u shpreh më tej ai.
Në krahun tjetër, Borana Ajazi, drejtoresha e Drejtorisë për të Drejtën e Autorit, ka kundërshtuar këto pretendime, duke theksuar se kjo njësi e specializuar ndërhyn vetëm me iniciativën dhe kërkesën e vetë mbajtësve të të drejtave.
“Janë ata që kanë detyrimin të vërtetojnë jo vetëm autorësinë e veprës për të cilën pretendojnë se ka një shkelje, por duhet gjithashtu të vërtetojnë që kërkesa e tyre është objekt i ligjit të së drejtës së autorit”, u shpreh Borana Ajazi.
Ajo shtoi se nisma ligjore është hartuar në konsultim të ngushtë me Komisionin Europian, duke u bazuar te modelet e suksesshme të vendeve si Italia, Greqia dhe Franca.
“Ligj nuk ka përparësi ndëshkimin për shkeljen e së drejtës së autorit, përparësi është shpërblimi i autorit. Kjo në zbatim të të drejtave kryesore sikurse mund të jetë liria e fjalës, shumë materiale kanë për qëllim parodinë, këto nuk janë materiale që shkelin të drejtën e autorit, sepse duhet të kuptojmë që e drejta e autorit nuk duhet të cenojë lirinë e të shprehurit“, sqaroi Ajazi.
Një tjetër pikë e nxehtë e diskutimit mbetet tregu i administrimit kolektiv të të ardhurave dhe mënyra e shpërndarjes së tyre te krijuesit.
“Sot ndodh që janë disa agjenci të licensuara, mblidhen lekët nga ritransmetuesit kabllorë, mblidhen lekët nga 13 lokale në Shqipëri. Vetëm 13 lokale ka arritur të bindë Ministria me gjitha këto agjenci që të pagujnë të drejtën e autorit. Këto lekë që mblidhen shpërndahen, por si nuk e dimë”, argumentoi Nini.
Në përgjigje të kësaj çështjeje, Ajazi argumentoi se prania e agjencive të shumta vetëm sa ngatërron përdoruesit, prandaj ligji parashikon përzgjedhjen e një subjekti më përfaqësues.
“Ekzistenca e disa agjencive do të krijonte vështirësi te përdoruesi për të evidentuar për cilat të drejta ka paguar. Për këtë arsye, ligji vendos mundësinë e zgjedhjes së një agjencie më përfaqësuese. Më pas caktohet mënyra e shpërndarjes së të ardhurave në bazë të kontratave dhe kontratave që përfaqësojnë”, theksoi përfaqësuesja e ministrisë.
Ligji pritet të hyjë në fuqi së shpejti, ndërsa prova e vërtetë e funksionimit të tij do të varet nga vetë autorët, të cilët do të duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për pronësinë e krijimeve të tyre pranë kësaj strukture shtetërore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: