Politikë
PDK akuzon RTK-në për manipulim të qëndrimeve lidhur me krerët e UÇK-së: Kërkohet korrigjim dhe falje publike
Reklamë e Sponsorizuar
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj një kronike të transmetuar në edicionin qendror të lajmeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), duke e cilësuar atë si tendencioze dhe të pavërtetë. Sipas kësaj partie, raportimi se PDK-ja paska kërkuar “uljen e dënimeve për krerët e UÇK-së” është një shtrembërim i qëllimshëm i qëndrimeve të tyre zyrtare.
Në reagimin e bërë publik, PDK-ja ka sqaruar se pozicioni i saj është krejtësisht i kundërt me atë që është pasqyruar në media. “PDK e ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe kërkon lirimin e plotë të çlirimtarëve”, thuhet në njoftimin e kësaj partie, duke shtuar se angazhimi i tyre është i përqendruar në sigurimin e drejtësisë dhe ofrimin e mbështetjes maksimale për ish-krerët e UÇK-së në procesin e apelit.
Si argument shtesë, partia ka përmendur nismën e saj ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, e cila synon pikërisht garantimin e një procesi të drejtë. PDK-ja ka theksuar se nuk mund të pranojë që përpjekjet e tyre për lirim të plotë të keqinterpretohen si kërkesa për reduktim të dënimeve.
Duke shprehur shqetësim për politikën redaksionale të transmetuesit publik, PDK-ja ka vlerësuar se ky raportim mban prapavijë politike dhe synon dezinformimin e opinionit publik. Për këto arsye, partia ka kërkuar nga RTK-ja që të bëjë korrigjimin e menjëhershëm të kronikës, të sqarojë pozicionin e vërtetë të PDK-së dhe të kërkojë falje publike për këtë shkelje profesionale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: