Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Botë 5 min lexim

LIVE: S’ka progres në bisedimet e para mes Rusisë dhe Ukrainës

Redaksia Lajmetereja • 16-05-2025 12:58
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
LIVE: S’ka progres në bisedimet e para mes Rusisë dhe Ukrainës
Bisedimet e para të drejtpërdrejta të paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës pas më shumë se tre vjetësh zgjatën më pak se dy orë dhe nuk pati shenja përparimi. Një burim ukrainas i tha Reutersit se kërkesat e Moskës ishin “të papranueshme”. Burimi ukrainas ka thënë për agjencinë e lajmeve se kërkesat e Rusisë ishin “të shkëputura nga realiteti dhe shkonin shumë përtej asaj që ishte diskutuar më parë”. Ato përfshinin “kushtet e papranueshme dhe jo konstruktive”. Nga ana ruse nuk pati ndonjë deklaratë të menjëhershme. Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë e ka informuar agjencinë e lajmeve Reuters se bisedimet mes delegacionit të Ukrainës dhe atij të Rusisë sapo kanë përfunduar. Këto ishin bisedimet e para direkte që nga viti 2022, pak pasi Rusia kishte filluar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Më herët, Reuters raportoi se diplomatët ukrainas i kanë thënë agjencisë se kërkesat e Rusisë janë jorealiste dhe shkojë larg prej asaj që është diskutuar më herët. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të premten se një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, është thelbësor, porse nevojiten përgatitje paraprake, si dhe duhet të prodhojë rezultate kur të ndodhë, ka raportuar Reuters. Tek i është përgjigjur komenteve të presidentit amerikan, i cili pati thënë gjatë ditës së premte se do të takohej me Putinin “sa më shpejtë të jetë e mundur”, Peskov ka deklaruar se s’ka dyshim që një takim ndërmjet dy liderëve është i rëndësishëm për kontekstin e çështjes ukrainase. “Një takim i tillë është natyrisht i nevojshëm. Është i nevojshëm si nga pikëpamja e marrëdhënieve dypalëshe Rusi-SHBA, ashtu edhe nga pikëpamja e zhvillimit të një bisedimi në nivelin më të lartë mbi çështjet ndërkombëtare dhe problemet rajonale, përfshirë, natyrisht, krizën në Ukrainë”, ka thënë Peskov. Duke i komentuar bisedimet që po zhvillohen në Stamboll, zëdhënësi i Kremlinit ka shtuar se ekipi rus është në kontakt të vazhdueshëm me presidentin Putin. Photo: Associated Press Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina janë takuar në Stamboll për bisedimet e para direkte midis dy vendeve që nga viti 2022, kur procesi i paqes u ndërpre asokohe vetëm disa javë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, është cituar nga agjencia e lajmeve Reuters duke hapur takimin, tek ka thënë se ishte i lumtur që vullneti i dy palëve kishte hapur një mundësi të re për paqe. “Ka dy shtigje sot: Një dërgon në paqe, dhe tjetri do të shkaktojë më shumë shkatërrim dhe humbje jete. Të dyja palët do të zgjedhin se cilin rrugë do të ndjekin”, u ka thënë Fidan delegacioneve negociuese. "Ne kemi një mundësi për të përfunduar luftën... për të ndjekur rrugën e paqes, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Çdo ditë që kalon, humbasin më shumë jetë. Ndërkohë që kjo luftë po merr jetë, është kritike që një armëpushim të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar kryediplomati turk. Takimi në Stamboll duhet të “përgatisë terrenin për një takim midis liderëve”, ka shtuar Fidan, duke iu referuar vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të mos marrë pjesë në bisedime. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ishte shprehur më parë se ai do të ishte i gatshëm të takohej me Putinin, duke besuar se vetëm një takim me presidentin rus mund të sigurojë përfundimin e luftës. Shefi i zyrës së presidentit Zelensky, Andriy Yermak, ka shkruar në rrjetin social Telegram se Ukraina synon të sigurojë një armëpushim të plotë e pa kushte gjatë bisedimeve të sotme. “Delegacioni ukrainas është në Stamboll sot për të arritur një armëpushim pa kushte - ky është prioriteti ynë”, ka thënë ai në Telegram. Pamje nga takimi Photo: Associated Press Takimi trepalësh ndërmjet delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ukrainës dhe Turqisë sapo ka filluar në Pallatin Dolmabahçe, në Stamboll, raporton BBC. Ekipi ukrainas përbëhet nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, ministri i Jashtëm, Andriy Sybiha, si dhe shefi i zyrës së presidentit ukrainas, Andriy Yermak. Pjesë e takimit është edhe kryediplomati turk, Hakan Fidan. E delegacioni amerikan përfshin sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, ambasadorin e sapoemëruar në Turqi, Tom Barrack, dhe të dërguarin e SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, i cili ka paralajmëruar së fundmi se Washingtoni dhe Evropa mund të vendosin sanksione më të rrepta ndaj Rusisë nëse ajo nuk bie dakord për një armëpushim. Më vonë gjatë ditës, pritet të organizohet një takim i dytë, kësaj radhe mes delegacionit të Ukrainës dhe atij të Rusisë, që do të ndërmjetësohet nga pala turke. Photo: Associated Press Zyrtarët turq kanë konfirmuar për agjencinë e lajmeve Reuters se Turqia do të marrë pjesë në dy takime trepalëshe të premten, si pjesë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ku përfshihen bisedimet direkte mes delegacionit rus dhe atij ukrainas. Agjencia e lajmeve ka raportuar se një takim ndërmjet zyrtarëve turq, amerikanë dhe ukrainas pritet të zhvillohet nga ora 9:45 (sipas kohës sonë lokale), i pasuar nga bisedimet mes delegacionit të Turqisë, Rusisë dhe Ukrainës nga ora 11:30 (sipas kohës lokale). Delegacioni ukrainas do të kryesohet prej ministrit të Mbrojtjes, Rustem Umerov, teksa delegacioni rus udhëhiqet nga asistenti i presidentit Vladimir Putin, Vladimir Medinsky.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar