Sport
Forma e shkëlqyer rikthen Kukësin në garë të fortë për kreun e Superiores
Reklamë e Sponsorizuar
Falë serisë së rezultateve pozitive në ndeshjet e fundit, Kukësi ka bërë një ngjitje të rëndësishme në renditje, duke u rikthyer fuqishëm mes skuadrave kryesore që synojnë ngjitjen në Abissnet Superiore.
Në kuadër të këtij momenti të mirë, drejtuesit dhe stafi kanë bërë thirrje publike në rrjetet sociale, duke ftuar tifozët verilindorë që të mbushin shkallët e stadiumit në sfidën e radhës të mesjavës kundër Kastriotit.
Megjithatë, caktimi i takimit në orën 13:30 ka ngjallur pakënaqësi mes mbështetësve, të cilët kanë argumentuar në hapësirat online se ky orar zyrtar pune e bën pothuajse të pamundur praninë e tyre masive në stadium. Klubi ka reaguar menjëherë ndaj këtyre shqetësimeve, duke sqaruar se përgjegjësia për ndryshimin e orarit lidhet me mungesën e ndriçimit dhe se një kërkesë zyrtare i është drejtuar prej kohësh Bashkisë së Kukësit.
“E kuptojmë shqetësimin që keni për orarin dhe klubi i Kukësit ka rënë dakord më FSHF-në që ndeshjet t’i luajë në mbrëmje. Për këtë, ka bërë kërkesë zyrtare pranë Bashkisë Kukës që në fillim të sezonit, që të sigurojë zhvillimin e ndeshjes me drita.
Ashtu si ju, edhe ne jemi në pritje të përgjigjes nga Bashkia, e cila nuk ka ardhur ende”, ka theksuar klubi në reagimin e tij zyrtar, duke konfirmuar kështu vullnetin e plotë për t'i përshtatur ndeshjet sipas kërkesave të tifozërisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: