Kronikë
Mbyllet çështja e grantit bujqësor: Faton Peci konfirmon se Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij
Reklamë e Sponsorizuar
Pas një periudhe zhvillimesh të bujshme në sistemin e drejtësisë, Prokuroria Speciale ka marrë vendim për të mbyllur hetimet lidhur me ndarjen e granteve që përfshinin kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci. Ky zhvillim vjen gjithashtu në një kohë kur Blerim Isufaj nuk ushtron më detyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, ndërkohë që në krye të Prokurorisë së Shtetit është zgjedhur Zejnullah Gashit.
Për këtë vendim ka njoftuar vetë Peci përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Facebook.
“Foli Prokuroria Speciale – sepse grantet janë dhënë vetëm me meritokraci. Dy vjet të randa linçimi, baltosje e shpifje të ulta e të mbushura helm kundër meje e kundër asaj çfarë përfaqësoj, morën përgjigjen e duhur, të ditur dhe të pritur”, ka shkruar Peci.
Më tej, ai ka shtuar se institucioni i akuzës është shprehur qartë, duke theksuar se nuk ka pasur as motive dhe as prova të mjaftueshme për të vepruar ndryshe, duke i quajtur akuzat si insinuata dhe sulme të orkestruara ndaj angazhimit të tij profesional.
Sipas dokumentit të bërë publik nga Peci, hetimet janë mbyllur gjithashtu edhe për Fitore Pacollin. Kjo çështje i referohet periudhës kohore kur Peci ka mbajtur postin e Ministrit të Bujqësisë.
Në reagimin e tij, Peci ka paralajmëruar hapa ligjorë ndaj zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që kishin dorëzuar kallëzimin penal, duke paralajmëruar se do t'i drejtohet gjithashtu me padi për deklarim të rremë ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, kanë hedhur gurë dhe kanë fshehur dorën.
Në fund, ai ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e qytetarëve në Kosovë dhe në diasporë, duke garantuar se angazhimi i tij në shërbim të vendit mbetet i pastër dhe i pandryshueshëm përkundër çdo lloj presioni apo beteje politike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: