Kronikë
“E bëra për djalin” – Jeton Sylaj rrëfen në Prokurori arsyet e kanosjes ndaj ish-bashkëshortes
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur dyshime të bazuara se Jeton Sylaj ka kryer veprën penale të kanosjes ndaj ish-bashkëshortes së tij, Arlinda Zekaj. Dokumentacioni hetues nxjerr në pah rrëfimin e të dyshuarit, i cili gjatë paraqitjes para prokurorit ka pranuar se ka lëshuar deklarata kërcënuese ndaj ish-gruas, por është arsyetuar se veprimi i tij erdhi si reagim për të mbrojtur djalin e tyre 12-vjeçar.
Sipas shkresave të lëndës, ngjarja ka nisur më 10 korrik 2026, kur e dëmtuara kishte denoncuar Sylajn për dhunë në familje dhe kanosje. Në paraqitjen e parë në polici më 14 korrik, i dyshuari kishte preferuar të mbrohej në heshtje, duke paralajmëruar se faktet do t'i paraqiste vetëm para organit të akuzës.
Gjatë marrjes në pyetje në Prokurorinë Themelore në Pejë më 23 korrik 2026, Jeton Sylaj ka shpalosur versionin e tij mbi konfliktin dhe marrëdhëniet e tensionuara me ish-bashkëshorten, duke pranuar hapur se ka përdorur fjalor fyes dhe kërcënues.
“Është e vërtet se unë Arlindës i kam thënë fjalët 'kom met mbyt, kom met ngre zhag', mirëpo të njëjtat ia kam thënë sepse djali im është ndjerë i rrezikuar, sepse nëna e tij ka gënjyer, ka shkuar tek familja ime në Deçan dhe djali im ndihet gjithmonë i frikësuar nga nëna e tij... Tjetër nuk kam çka të shtojë veçse unë e pranoj që kam kryer kanosje, e kam bërë vetëm për shkak të djalit tim,” ka deklaruar Sylaj para prokurorit.
I dyshuari ka sqaruar se ndarja e tyre ka ndodhur përafërsisht një vit më parë, ndonëse ende nuk janë divorcuar zyrtarisht për shkak të distancës gjeografike, pasi ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ajo në Kosovë. Ai ka ngritur gjithashtu akuza ndaj ish-partneres, duke pretenduar se ajo kishte synime financiare dhe se i kishte mbajtur dokumentet personale.
“Ajo më ka marrë edhe pasaportat dhe kjo tregon tendencën e saj për të më sjellë në këtë situatë ku jam sot. Pasaportën e Amerikës e kam, por të Kosovës ma ka marrë ajo,” ka shtuar ai në dëshminë e tij.
Në dosjen e provave materiale figuron edhe një CD me incizime video, në të cilat i dyshuari dëgjohet duke përdorur tone të ashpra dhe fjalor fyes:
“Ku të don djali me shku me ndejt o welcome, djalin nuk guxon njeri i lem me shti në nonen e as baben... 900 000 nona ti q... t’djegi me temel...”, ndërkohë që i mituri shprehet se nuk dëshiron të udhëtojë.
Sipas raportimeve policore, po më 23 korrik 2026, Jeton Sylaj kishte shoqëruar djalin e tij 12-vjeçar në stacionin e policisë në Pejë, me pretendimin se i mituri kërkonte një urdhër mbrojtjeje ndaj nënës. Megjithatë, pas intervistimit të fëmijës në prani të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale, mbrojtësit të viktimave dhe psikologes, prokurori kujdestar ka konstatuar se pretendimet e ngritura në emër të të miturit nuk përmbajnë elemente të ndonjë vepre penale nga ana e nënës.
Pavarësisht pretendimeve të Jeton Sylajt se veprimet e tij ishin mbrojtëse ndaj fëmijës, organi i akuzës vlerëson se kanosja e drejtuar ndaj viktimës plotëson të gjitha elementet ligjore të veprës penale sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria thekson se kërcënimi ka qenë serioz dhe i aftë të krijojë ankth e pasiguri, bazuar kjo si në pranimet e vetë të dyshuarit, ashtu edhe në provat materiale të siguruara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: