Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Agenda e Ditës: Konferenca të rëndësishme, mbledhje komisionesh dhe ngjarje publike në vend

Redaksia Lajmetereja • 26-10-2026 20:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Agenda e Ditës: Konferenca të rëndësishme, mbledhje komisionesh dhe ngjarje publike në vend
Portali informativ 'Lajmet e Reja' sjell përmbledhjen e ngjarjeve kryesore, aktiviteteve institucionale dhe konferencave të paralajmëruara për datën 27 tetor në vend. Dita nis në orën 09:00 në hotelin “Marriott Courtyard” në Prishtinë, ku Banka për Biznes (BPB), në bashkëpunim me BERZh-in, do të organizojë një panel diskutimi me titull “Vendimet, sfidat dhe mësimet nga përvojat reale të bizneseve”. Në orën 10:00, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT/KRCT) mban konferencën kushtuar zbatimit të Marrëveshjes Kosovë–Danimarkë për transferimin e të burgosurve, duke trajtuar sfidat ligjore, të drejtat e njeriut dhe aspektet operacionale. Në këtë ngjarje, e cila zhvillohet në hotelin “Swiss Diamond”, është paralajmëruar pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti dhe e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. Po në orën 10:00, në hotelin “Swiss Diamond”, Lëvizja FOL dhe Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D) do të bëjnë prezantimin e analizës ligjore për legjislacionin dhe procedurat e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe të raportit mbi qasjen e qytetarëve në tranzicionin e gjelbër në Kosovë. Në Kuvendin e Kosovës, duke filluar nga ora 10:00 në sallën N-10, Komisioni për Ekonomi do të shqyrtojë në parim Projektligjin për efiçiencë të energjisë, vendimin e presidentes për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, shpalljen e konkursit për drejtor të ARRU-së, si dhe do të dëgjojë raportimin e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku. Në të njëjtën kohë (ora 10:00), në zyrat e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në rrugën “Rexhep Luci”, do të mbahet një konferencë për media lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të mblidhet në orën 10:30 (salla N-303) për të shqyrtuar në parim Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, ndërsa Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë mban takim në orën 11:00 (salla N-225) për të diskutuar rreth mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve dhe grupeve të miqësisë. Në orën 11:00, Komiteti Olimpik i Kosovës organizon konferencë për media për të prezantuar ekipin olimpik që do të përfaqësojë vendin në Lojërat Olimpike për të Rinj në Dakar 2026, të cilat do të mbahen nga 31 tetori deri më 13 nëntor në Senegal. Në kuadër të Festës Kombëtare të Austrisë, Ambasada Austriake në Kosovë, në bashkëpunim me ADVANTAGE AUSTRIA Kosova dhe SPAR Kosova, hap në orën 11:00 ngjarjen “Java e Produkteve Austriake” në hapësirat e SPAR Arbëria në Prishtinë. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, respektivisht në Klinikën e Kardiologjisë, në orën 11:30 do të përurohet Njësia Koronare. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz. Agjenda e kuvendit vijon në orën 12:00 me dy komisione: Komisioni për Mirëqenie Sociale shqyrton draft-planin e punës në sallën N-10, kurse Komisioni për Arsim dhe Shkencë diskuton planin e punës për sesionin vjeshtor 2026 në sallën N-204. Në orën 13:00, Komisioni për Mjedis (salla N-302) do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë. Ndërkohë, në orën 15:00, në Radafc do t'i jepet lamtumira e fundit Arlinda Zekajt, e cila u vra mizorishëm mbrëmjen e së dielës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar