Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Detajet e denoncimit të Arlinda Zekajt: Si e kishte akuzuar ajo kunatin Albert Sylaj para tragjedisë

Redaksia Lajmetereja • 26-10-2026 15:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Detajet e denoncimit të Arlinda Zekajt: Si e kishte akuzuar ajo kunatin Albert Sylaj para tragjedisë
Më 22 tetor 2022, Arlinda Zekaj kishte paraqitur një denoncim zyrtar kundër kunatit të saj, Albert Sylaj, duke e akuzuar për kanosje dhe uzurpim të pronës. Sipas saj, shtëpia ishte në bashkëpronësi me ish-bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj. Përkatësisht, pas lëshimit të urdhër-mbrojtjes nga gjykata më 16 tetor, ajo kishte pretenduar se Albert Sylaj, së bashku me bashkëshorten, fëmijët dhe nënën e tij, ishin vendosur në banesën e saj pa marrë pëlqimin e saj paraprak. Zekaj kishte sqaruar se ata nuk kishin banuar kurrë më parë aty, duke u vendosur vetëm pas vendimit për mbrojtje. Në dëshminë e dhënë, ajo theksonte se ndihej e rrezikuar dhe e bllokuar në pronën e saj, ku nuk lejohej të lëvizte e lirë as në kuzhinë për ushqim apo ujë. Sipas saj, kunati e kishte kërcënuar drejtpërdrejt me fjalët “Largomu, largomu se tmys”, në momentin kur ajo kishte tentuar të merrte telekomandën e televizorit, duke shtuar se ai kishte shfaqur sjellje agresive dhe kërcënime serioze për jetën. Në krahun tjetër, Albert Sylaj, i cili tashmë dyshohet për vrasjen e saj, gjatë intervistimit në Polici kishte hedhur poshtë akuzat për kanosje. Ai kishte deklaruar se familja e tij po qëndronte në atë shtëpi me lejen e vëllit të tij tash e tre apo katër muaj, duke pretenduar se situata ishte provokuar nga vetë Arlinda Zekaj përmes veprimeve të saj. Duke mohuar kërcënimet, Sylaj kishte dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke pretenduar se ajo kishte bërë skena të inskenuara për t'i provokuar, siç ishte rasti i ndaljes së klimës apo hapjes së dritareve për të ftohur fëmijët teksa bënin detyrat. Ai kishte pohuar se konflikti për telekomandën kishte ndodhur pasi ai po shikonte televizor, dhe se situata kishte përfunduar me ndërhyrjen e nënës së tij dhe më pas të patrullës policore. Në kuadër të këtij rasti, gjyqtari Kastrati me aktvendimin e datës 16 tetor kishte urdhëruar Jeton Sylajn, bashkëshortin e viktimës, që të qëndronte larg saj. Konkretisht, atij i ishte ndaluar t'i afrohej asaj në një distancë prej më pak se 2 metra brenda shtëpisë ku bashkëjetonin. Po ashtu, sipas dokumentit zyrtar, masat e sigurisë përfshinin ndalimin e afrimit në distancë prej 20 metrash në hapësira publike, rrugë, qytet, shkollë apo vendin e punës. Aktvendimi gjithashtu ndalonte rreptësisht çdo lloj dhune fizike apo psikike, bllokim të lëvizjes, ofendime apo çrregullim të qetësisë së palës së mbrojtur.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar