Politikë
Seanca e Kuvendit: Të enjten votohet buxheti dhe nisma për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca e ardhshme plenare do të zhvillohet të enjten, me fillim nga ora 10:00.
Pas mbledhjes së mbajtur nga Kryesia e Kuvendit, Haxhiu bëri të ditur se në fokus të kësaj seance do të jenë projektligji për ndarjet buxhetore, si dhe ai për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ajo vuri theksin te rëndësia e funksionalizimit të kësaj byroje në luftën kundër pasurive të paligjshme, duke u bërë thirrje ligjvënësve që t'i japin mbështetjen e tyre këtij mekanizmi.
“Pozita publike nuk mund të jetë as rrugë pasurimi, as mburojë për të fshehur pasurinë e pajustifikueshme. Zyrtari që nuk mund ta arsyetojë pasurinë me të ardhura të ligjshme, duhet të japë llogari”, ka shkruar Haxhiu në rrjetet sociale.
Gjithashtu, ajo theksoi pritshmërinë e saj që deputetët të bashkohen rreth këtij procesi për të siguruar jetësimin e ligjit në praktikë.
Në një tjetër zhvillim, Haxhiu njoftoi se Kryesia ka marrë vendim që të hapë një konkurs publik dedikuar dizajnit të logos së re të Kuvendit.
Sipas saj, tashmë me kompletimin e institucioneve, legjislativi i është rikthyer dinamikës së rregullt të punës, ku mbledhjet e Kryesisë do të mbahen çdo të hënë, ndërsa seancat plenare çdo të enjte.
Ajo shtoi se, duke pasur parasysh rreth 200 projektligje që figurojnë në agjendën e ekzekutivit, synimi kryesor mbetet trajtimi i tyre me seriozitet dhe pa zvarritje.
Ndërkaq, gjatë takimit të Kryesisë është pranuar edhe një nismë qytetare që synon ndryshimin e Kodit Penal, për të cilën Haxhiu garantoi se do të ndiqen të gjitha hapat sipas procedurave ligjore në fuqi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: